Qentë janë bërë më të vështirë për t’u trajnuar që nga pandemia e COVID-19, sipas një studimi të ri.
Studimi, që përfshiu më shumë se 47,000 qen shtëpiakë dhe pronarët e tyre, tregoi se qentë e regjistruar në hulumtim pas vitit 2020 kishin mesatare më të ulëta të vlerësimit për aftësinë e trajnimit.
Rrethanat “unike” të pandemisë, si fakti që më shumë qen u adoptuan nga strehimoret ose që pronarët ishin më të stresuar se zakonisht, mund të kenë luajtur një rol, thonë shkencëtarët amerikanë.
Kërkimi analizoi katër vite të dhënash të raportuara nga pronarët dhe përfshiu më shumë se 47,000 kafshë në kuadër të Dog Aging Project. Motivimi fillestar ishte të zbulohej se si pandemia e COVID-19 ndikoi tek mirëqenia e qenve.
Studiuesit shqyrtuan posaçërisht prirjet në frikë, vëmendje dhe entuziazëm, agresivitet dhe aftësi trajnimi, duke u bazuar në të dhëna të raportuara nga pronarët për periudhën 2020–2023.
Një ndër drejtueset e studimit, dr. Courtney Sexton, nga Virginia-Maryland College of Veterinary Medicine, tha: “Pamë se faktorë të caktuar, si faza e jetës së qenit, seksi dhe madhësia e tij, kishin njëfarë ndikimi në sjelljen e tyre.
“Është interesante se gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, nuk patëm ndryshime thelbësore në profilet e përgjithshme të sjelljes së qenve nga viti në vit, ndonëse mund të kishim pritur ndryshe duke pasur parasysh ndryshimet në mjedis dhe rutina që shumë po përjetonin atëherë.”
Por studimi zbuloi një përjashtim të dukshëm lidhur me aftësinë për t’u trajnuar.
Qentë e regjistruar në studim pas vitit 2020 patën rezultate mesatare më të ulëta në aftësinë e trajnimit, krahasuar me ata që ishin regjistruar tashmë në 2020 si të rritur dhe që, sipas studiuesve, ndoshta kishin përfituar nga përvoja e trajnimit para pandemisë.
Edhe pse të dhënat nuk japin një shkak përfundimtar, ekipi i kërkimit mendon se rrethanat e veçanta të pandemisë, si adoptimi më i madh i qenve nga strehimoret ose pronarët më të stresuar dhe më pak të aftë të përkushtonin kohë për trajnim, mund të kenë qenë faktorë kontribuues.
Dr. Sexton tha: “Ajo që ishte interesante është se ndryshimi në raportimet për aftësinë e trajnimit mes vitit të parë dhe vitit të fundit ishte më i vogli nga të gjitha mesataret.
“Është një rëndësi e vogël statistikore, por mund të tregojë se qentë, ose pronarët e tyre, po rimëkëmben.”
Studiuesit thonë se studimi, i publikuar në revistën PLOS One, vendos një pikënisje “vendimtare” për të kuptuar sjelljen e qenve në shkallë të gjerë.
Dr. Sexton tha: “Me këto të dhëna, jemi të entuziazmuar që kemi tani një pikënisje nga e cila mund të vazhdojmë të ndjekim ndryshimet në sjelljen e dhjetëra mijëra qenve teksa plaken, gjë që në fund do të na ndihmojë të kuptojmë se si lidhen sjellja dhe shëndeti.”
Ajo shtoi: “Kur ke një bazë të dhënash kaq të madhe, vërtet e sheh fuqinë e numrave.
“Edhe pse nuk mund t’i kuptojmë të gjithë faktorët, kur gjejmë një rëndësi statistikore, ka gjasa që aty të ketë diçka me vlerë për t’u menduar në kontekstin e botës reale.”
Studiuesit thonë se puna e ardhshme do të eksplorojë se si faktorë të tillë si vendndodhja e qenit ose mirëqenia e tij mund të ndikojnë tek sjellja me kalimin e kohës. / Earth