Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët në këtë ditë feste, ndërsa ka ndarë edhe pamje nga teqja Kuzum Baba në Vlorë.Një urim për më shumë geati e shëndet e pati edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
“MIRËMËNGJES dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkruan Rama.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan Antony Blinken ka uruar besimtarët në gjithë botën, që ky vit të sjellë paqe e shëndet për të gjithë.
Çfarë është Sulltan Nevruzi
Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.
Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve.
Si festohet Sulltan Nevruzi?
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë.
Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike.
Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.
Festa e Sulltan Nevruzit, uron Blinken: Gëzuar, ky vit sjelltë më shumë paqe e shëndet
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. Blinken uron që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe, shëndet e begati.
“Gëzuar Nevruzin! Në emër të Departamentit të Shtetit, u uroj Gëzuar Nevruzin të gjithë atyre që festojnë këtë traditë të lashtë dhe ardhjen e pranverës. Për shekuj me radhë, bashkësi përreth botës, përfshirë në Iran, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe të Jugut, Europë dhe përtej, janë mbledhur për të festuar përtëritjen e natyrës dhe premtimin e një viti të ri. Nevruzi ofron një mundësi për të përtëritur marrëdhënie të rëndësishme, për të vlerësuar bekimet dhe për të parë përpara, drejt asaj që e ardhmja sjell. Teksa reflektojmë mbi këtë vit të shkuar, ne shpresojmë që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe në botë, e gjithashtu shëndet, begati dhe gëzim.” – Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken.
Festa e Sulltan Nevruzit, Veliaj: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në shtëpitë tuaja
Kryebashkiaku Veliaj uron për festën e Sulltan Novruzit: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashianë për Ditën e Sulltan Novruzit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja”, thekson Veliaj.