Sociologu, Jeton Brajshori ka thënë se rasti i Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt tejkalon arsyen e shëndoshë.
“Nga psikopati te narcisi patologjik. Rasti ekstrem i Naim Murselit e tejkalon arsyen e shëndoshë. Mungesa e empatisë për gruan dhe fëmijët e tij, të cilët i konsideron si pronë personale për të përmbushur egon e vet, si edhe rastet e mëhershme ku shihet qartë se vuan nga sindroma e mashtruesit për të qenë “dikushi”, deri te vrasja gjakftohtë me paramendim, tregojnë qartë një lidhje me gjakftohtësinë e vrasësit të famshëm Ted Bundy.
Megjithatë, Naimit i mungon karizma, ai është më i pamëshirshëm se Tedy, sepse ky i fundit ka vrarë gra të ndryshme, ndërsa Murseli e ka organizuar vrasjen e gruas së tij para fëmijëve të vet.
Se sa ka të vërteta në tregimin e tij se ka qenë fëmijë i abuzuar dhe i rrahur kur ka qenë i vogël, këtë do ta tregojë gjykata. Frojdi i quante këto neuroza infantile, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e personalitetit të secilit individ. Për këtë arsye, është shumë i domosdoshëm komunikimi në familje!Mos i neglizhoni fëmijët, por kushtojuni kohë dhe vëmendje”, ka shkruar sociologu Brajshori.