Numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles ka shkuar në 10 mëngjesin e sotëm, njoftuan zyrtarët e qytetit në metropolin e Kalifornisë.
Sherifi i Los Angeles, Robert Luna tha se dukej sikur “një bombë atomike ishte hedhur në këto zona”.
Presidenti Biden njoftoi se qeveria federale do të mbulojë “100% të kostos së masave për të mbrojtur jetën dhe pronën në Kaliforninë Jugore për gjashtë muaj”.
“Unë i kam thënë Guvernatorit dhe zyrtarëve që të mos kursejnë asnjë shpenzim dhe të bëjnë gjithçka që duhet për të frenuar zjarret dhe për të mbrojtur familjet,” shkroi ai në platformën X.
Mbështetja nga shtetet e tjera po vijon, më shumë se 7,500 zjarrfikës po punojnë
Pesë frontet aktive të zjarrit në Los Angeles po lënë pas të vdekur ndërsa kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë, infrastrukturë, shtëpi dhe mijëra makina.
Në veçanti, 117,727 hektarë janë djegur, 1,500 shtëpi janë shkatërruar, ndërsa 200,000 shtëpi nuk kanë energji elektrike. Më shumë se 7,500 zjarrfikës po operojnë në zonë, ndërsa kanë ardhur në ndihmë edhe nga shtetet e tjera.
Erërat e forta të kombinuara me një thatësirë të zgjatur po përhapin flakët, ndërsa ekziston frika e rritjes së mëtejshme të fronteve të zjarrit që po dalin jashtë kontrollit dhe e kanë zhytur rajonin në kaos.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë ujin, pasi rezervuarët po zbrazen dhe zjarrfikësit tashmë po i drejtohen pishinave dhe shatërvanëve për tu rifurnizuar.
Presidenti amerikan njoftoi se do të angazhonte çdo burim të mundshëm federal në Kaliforninë Jugore, duke përfshirë qindra zjarrfikës federalë, 30 helikopterë dhe aeroplanë zjarrfikës, 8 DoD C-130 dhe 500 personel ushtarak.
Sipas vlerësimeve, zjarret në Kaliforni deri më tani kanë shkaktuar dëme që arrijnë në 57 miliardë dollarë dhe pritet që dëmi ekonomik të jetë shumë më i madh.
Pse po digjet Kalifornia?
Zjarret në Kaliforni nuk janë një fenomen i pazakontë. Me flakët që kanë dalë jashtë kontrollit, ka një pyetje serioze në lidhje me furnizimet me ujë në shtet, por edhe në qytetin e Los Angelesit.
Dëshmitë e zjarrfikësve në rrjetet amerikane, se nuk kishte në shumë raste sasitë e kërkuara të ujit janë evidente.
Një tjetër pyetje e rëndësishme që lind është qëndrimi i kryebashkiakut të Los Angelesit, i cili pavarësisht provave të palëkundura në lidhje me rreziqet e një mega zjarri në zonë dhe thirrjet e zjarrfikësve për përforcim, zgjodhi të vazhdonte me planifikimin origjinal të Bashkisë.
Paaftësia për disa orë e aviacionit të Kalifornisë për të operuar në zonat kryesore malore ku zjarri po dilte jashtë kontrollit, zyrtarisht i atribuohej erërave shumë të forta që ende po fryjnë në zonë.
Është fakt që mjetet ajrore të shuarjes së zjarrit nuk janë të çdo moti, por ka zëra, të cilët po shtohen, që pyesin pse ndihma e Forcave Ajrore, e cila ka avionë më të mëdhenj dhe kryesisht mjete fluturuese, të cilat ishin në gjendje të operonin në kushtet aktuale, nuk u kërkua më shpejt.
Santa Ana: Erërat e nxehta dhe të thata sezonale që kërcënojnë Los Anxhelosin
Në zemër të Kalifornisë Jugore, ku rrezet e diellit dhe dallgët janë pjesë e jetës së përditshme, ndodh një fenomen i fuqishëm meteorologjik i njohur si erërat e Santa Ana. Të karakterizuara nga natyra e tyre e ngrohtë, e thatë dhe shpesh e egër, këto erëra luajnë një rol kyç në formësimin e dinamikës së motit dhe zjarrit në rajon, veçanërisht gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit.
Zjarret e fundit në Palisades dhe Eaton në zonën më të madhe të Los Angelesit, të cilat tashmë kanë djegur më shumë se 100,000 hektarë, demonstrojnë efektin vendimtar të erërave të Santa Ana në përhapjen dhe intensitetin e zjarreve.
Çfarë janë erërat Santa Ana?
Historia e erërave të Santa Ana fillon në malet e Pellgut të Madh në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, një zonë që përfshin pjesë të Nevadës dhe Jutas. Në këtë rajon, zhvillimi i një fushe me presion të lartë e detyron ajrin të lëvizë drejt zonave me presion më të ulët përgjatë bregut, duke krijuar një rrjedhë të erës verilindore mbi Kaliforninë Jugore.
Ndërsa ajri zbret nga malet, ai pëson një transformim mbresëlënës në të cilin ngjeshet dhe nxehet. Për çdo një kilometër zbritje, temperatura e ajrit rritet deri në 10 gradë Celsius. Ky proces, i njohur si ngrohja adiabatike, jo vetëm që ngroh ajrin, por edhe e than atë, duke bërë që lagështia relative të bjerë nën 10%.
Për më tepër, ndërsa ajri detyrohet të lëvizë nëpër kalime të ngushta topografike, intensiteti i erërave verilindore rritet, ashtu si rritet presioni i ujit kur ngushtojmë fundin e një zorre. Në kohën kur këto erëra verilindore arrijnë në bregdetin e Kalifornisë Jugore, ato kanë zhvilluar shpejtësi që shpesh i kalojnë 64 km/h.
Si lidhen erërat e Santa Ana me zjarret?
Imagjinoni sikur jeni përballë një zjarri që keni ndezur në plazh. Çfarë ndodh nëse filloni të fryni në zjarr? Zjarri do të fillojë të rritet, apo jo? Kjo është pikërisht ajo që bëjnë erërat e Santa Ana.
Kur një zjarr tashmë ekziston, këto erëra të forta nxisin përhapjen e tij të shpejtë. Ajri i thatë dhe i ngrohtë gjithashtu i kthen pemët, barin dhe gjethet në materiale të djegshme, duke e bërë më të lehtë ndezjen e tyre, edhe një shkëndijë e vogël mund të ndezë një zjarr të madh. E thënë thjesht, erërat e Santa Ana krijojnë “kushtet perfekte” që zjarret të ndodhin dhe të përhapen me shpejtësi./vizionplus.tv