Shkruar nga Thomas Grove
Putini po zgjeron bazat dhe po përgatitet të zhvendosë më shumë trupa në rajonet kufitare me Evropën. Zyrtarët perëndimorë, i druhen një konflikti të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump dhe shumë liderë të tjerë botërorë, po merren me luftën në Ukrainë, disa evropianë janë shumë të alarmuar mbi përgatitjet në heshtje të ushtrisë rusë përgjatë kufirit të saj me Evropën.
Rreth 160 km në lindje të kufirit të saj me Finlandën, në qytetin rus Petrozavodsk, inxhinierët ushtarakë po zgjerojnë bazat e ushtrisë, ku Kremlini po planifikon të krijojë një seli të re për dhjetëra mijëra trupa gjatë disa viteve të ardhshme.
Sipas zyrtarëve të ushtrisë dhe inteligjencës perëndimore, këta ushtarë, shumë prej të cilëve shërbejnë aktualisht në vijën e frontit në Ukrainë, synohen që të jenë shtylla kurrizore e një ushtrie ruse që po përgatitet të përballet me trupat e NATO-s.
Njëkohësisht, Kremlini po zgjeron rekrutimin ushtarak, po shton prodhimin e armëve dhe po përmirëson linjat hekurudhore në zonat kufitare. Finlanda, e cila u detyrua t’ia dorëzonte disa nga territoret e saj Bashkimit Sovjetik në vitin 1940, ka kaluar dekada duke u përpjekur të shmangë përplasjet me Moskën.
Pasi u bashkua me NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës, ajo po forcon kufirin e saj me mbrojtje elektronike dhe me gardhe me tela me gjemba. Trump, i cili ka ushtruar presion ndaj Ukrainës që të pranojë një marrëveshje armëpushimi ndërsa
po përpiqet të rindërtojë lidhjet e SHBA-së me Kremlinin, i ka cilësuar të tepruara shqetësimet se Rusia ka ndonjë ambicie përtej Ukrainës.
I pyetur në shkurt, në lidhje me paralajmërimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Rusia mund të nisë një luftë kundër NATO-s, nëse SHBA-ja e zvogëlon mbështetjen për aleancën, Trump tha: “Nuk jam aspak dakord me këtë tezë!”.
Një stërvitje ushtarake e NATO-s, u zhvillua vitin e kaluar në Finlandën Veriore. Hyrja e këtij vendi në aleancë në vitin 2023, i ka shtuar tensionet përgjatë kufirit me Rusinë. Vetë ekspertët ushtarakë në Rusi, e cilësojnë aktivitetin përgjatë kufirit finlandez si pjesë e përgatitjes së Kremlinit për konfliktin e mundshëm me NATO-n.
“Kur trupat ruse të rikthehen nga Ukraina, Moska do të hedhë sytë përtej kufirit, për të goditur një vend që ata e konsiderojnë kundërshtar. Logjika e dekadës së fundit, tregon se ne po presim një konflikt me NATO-n”- thotë Ruslan Pukhov, drejtor i Qendrës për Analizën e Strategjive dhe Teknologjive, një institut i çështjeve të mbrojtjes me qendër në Moskë.
Vetë zyrtarët rusë kanë dërguar sinjale të përziera. Në një takim të Ministrisë së Mbrojtjes në fund të vitit të kaluar, ministri Andrey Belousov tha se ushtria ruse duhet të jetë gati për një konflikt me NATO-n. Në po atë takim, presidenti Vladimir Putin tha se Perëndimi po e alarmonte popullsinë e vet, duke i thënë se Rusia ishte gati të sulmonte dhe se tensionet po i nxiste vetë NATO.
Ndërsa Rusia po përgatitet të rrisë praninë e saj ushtarake përgjatë krahut lindor të NATO-s, Putin e ka urdhëruar ushtrinë të zgjerojë radhët e saj me deri 1.5 milion trupa, nga rreth 1 milion që ishin para pushtimit të Ukrainës.
Rusia i ka rritur shpenzimet ushtarake në më shumë se 6 për qind të PBB-së këtë vit, nga 3.6 për qind para luftës. Sa për krahasim, SHBA-ja shpenzoi 3.4 për qind të PBB-së së saj për ushtrinë e saj vitin e kaluar, ndërsa vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 2.1 për qind të PBB-së.
Shtimi i shpenzimeve të Rusisë, i ka nxitur fabrikat e armëve të shtojnë kapacitet, duke bërë që kompanitë ushtarake të zgjerojnë linjat e prodhimit dhe të hapin objekte të reja. Në vitin 2021, pra para pushtimit, Rusia prodhonte rreth 40 tanke T-90M në vit. Tani po prodhon afro 300 në vit.
Një zyrtar i lartë ushtarak finlandez, thotë se gati asnjë prej tyre nuk po dërgohet në vijën e frontit në Ukrainë, por po ruhet për përdorim të mëvonshëm. Rritje të ndjeshme ka pasuar edhe prodhimi i automjeteve.
Prodhimi i topave dhe municioneve të artilerisë pritet të rritet me rreth 20 për qind këtë vit, teksa është rritur ndjeshëm edhe cilësia dhe prodhimi i dronëve. “Ushtria ruse po rindërtohet dhe po rritet me një ritëm më të shpejtë se sa e kishin parashikuar shumica e analistëve. Në fakt, ajo është sot më e madhe se sa në fillim të luftës”- tha gjenerali Christopher Cavoli, komandanti i forcave amerikane në Evropë, në një seancë dëgjimore në një nga komitetit e Senatit në fillim të këtij muaji.
Në një raport të muajit shkurt, agjencia daneze e inteligjencës paralajmëroi se Rusia mund të nisë një luftë në shkallë të gjerë në Evropë brenda 5 viteve, në rast se do e perceptojë NATO-n si të dobët. Por ushtarakët perëndimorë, paralajmërojnë se një armëpushim në Ukrainë, do ta lejonte ushtrinë ruse të jetë gati edhe më shpejt.
Disa vende të NATO-s, po i forcojnë kufijtë e tyre kundër tankeve, po hapin llogore dhe po vendosin pengesa në formë piramide, të njohura si “Dhëmbët e Dragoit. Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania, janë tërhequr nga një traktat ndërkombëtar që ndalon minat kundër njerëzve.
“Nuk kemi shumë kohë. Duhet të ndërtojmë një aleancë të fortë, një sistem të fortë komandimi dhe forca ushtarake të pajisura mirë”- tha në një intervistë Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
Zyrtarët perëndimorë, përmendin operacionet e fshehta që Rusia besohet se ka kryer në Evropë vitet e fundit, si dëshmi të vendosmërisë së Moskës për të destabilizuar Perëndimin, dhe për t’u hakmarrë për mbështetjen e tij ndaj Ukrainës.
Besohet se shërbimet sekrete ruse, qëndrojnë prapa komploteve për të vendosur pajisje ndezëse në avionët e gjigantit të transportit, DHL, apo edhe për përpjekjes për të vrarë kreun e një kompanie të madhe gjermane të prodhimit të armëve.
Një zyrtar i inteligjencës evropiane, thotë se Rusia mund të përpiqet të testojë kohezionin e aleancës me një sulm të kufizuar në një vend të vogël të NATO-s, siç është Estonia, e cila ka një popullsi të konsiderueshme ruse.
Aftësia e Rusisë për t’u përballur me NATO-n do të varet pjesërisht nga aftësia e saj për të rindërtuar forcat e saj pas luftës në Ukrainë, e cila ka pakësuar numrin e oficerëve, por i ka ofruar përvojë të çmuar.
“Nëse pyesni se sa shpejt ushtria ruse mund të kryejë një operacion të kufizuar kundër shteteve baltike, përgjigja mund të jetë shumë shpejt”- thotë Michael Kofman, bashkëpunëtor në Programin e Rusisë dhe Euroazisë në Carnegie Endowment for International Peace, një institut kërkimor në Uashington.
Zyrtarët baltikë, shtoi ai, flasin për një afat maksimal 2-3 vjet pas përfundimit të luftës në Ukrainë. Nëse pikë referimi është një luftë në shkallë të gjerë me NATO-n, afati kohor mund të jetë më shumë se 7-10 vjet, në varësi të skenarit.
Për të përqendruar forcat e tij në Perëndim, vitin e kaluar Kremlini e ndryshoi mënyrën e organizimit të forcave të tij brenda vendit, duke krijuar zona të reja të lidhura me mbrojtjen e qyteteve të tij më të mëdha, Moskës dhe Shën Petersburgut.
Në qarkun ushtarak të Moskës, Rusia ka integruar rrugët rrugore dhe hekurudhore të përdorura nga ushtria e saj me ato në Bjellorusinë fqinje, aleatin më të afërt të Moskës dhe një terren për pushtimin fillestar të Ukrainës.
Pjesa më e madhe e zgjerimit të fuqisë punëtore do të ndodhë në qarkun e Leningradit, që ka përballë Estoninë, Letoninë dhe Finlandën. Brigadat më të vogla, do të trefishohen për t’u bërë divizione me nga 10.000 trupa secila./“Wall Street Journal”