Policia turke arrestoi këtë të mërkurë kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, një lider i njohur opozitar dhe rivali kryesor i presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Sipas autoriteteve turke arrestimi erdhi si pjesë e një hetimi për lidhjet e dyshuara me disa afera korruptive, por dhe hetimeve për lidhje me grupe terroriste.
Agjencia shtetërore Anadolu njoftoi se prokurorët lëshuan urdhër arreste për Imamoglu dhe rreth 100 persona të tjerë, përfshirë biznesmenë dhe gazetarë. Kritikët e qeverisë thonë se arrestimi i Imamoglu vjen pas humbjeve të konsiderueshme të partisë në pushtet të Erdoganit në zgjedhjet lokale të marsit. Sipas analistëve kundër qeverisë, Immamoglu u arrestua për të ulur peshën e opozitës në mënyrë që ajo të mos kërkojëë zgjedhje të parakohshme.
Arrestimi ka ndodhur gjatë një kontrolli në shtëpinë e Imamoglu, por deri tani nuk janë dhënë detaje të tjera. Gruaja e kryebashkiakut e konfirmoi për një stacion televiziv privat se policia kishte mbërritur në shtëpinë e tyre para agimit dhe se arrestimi kishte ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit.
Një ditë më parë, një universitet i hoqi diplomën e dhënë 30 vite më parë për Imamoglu, duke e skualifikuar atë për të kandiduar në garën presidenciale të ardhshme. Sipas ligjit turk, të qenit në zotërim të një diplome universitare është një kusht i domosdoshëm për të kandiduar në zgjedhje. Partia e Imamoglu-s, opozita kryesore e vendit, Partia Popullore Republikane, kishte planifikuar zhvillimin e “primareve” të dielën, ku ai pritej të zgjidhej si kandidati kryesor për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.Zgjedhjet presidenciale të Turqisë janë të planifikuara për në vitin 2028, megjithatë, zgjedhjet e parakohshme janë gjithashtu të mundshme. Shumë analistë besojnë se rritja në sondazhe e Immamoglu ka shqetësuar pushtetin e Erdogan, i cili po përdor mjete represive për të larguar një rival të mundshëm nga gara.