Një objekt misterioz që lëviz me shpejtësi të madhe nëpër sistemin diellor ka bërë që shkencëtarët e Harvardit të besojnë se alienët më në fund po vijnë.
Objekti që astronomët e quajnë 3I/Atlas mund të jetë një anije e jashtëtokësorëve, e cila mund të lëshojë sonda në Tokë. Me një gjerësi të vlerësuar prej më shumë se 12 milje, objekti po lëviz me shpejtësi përmes sistemit diellor në një trajektore që do ta sjellë atë rreth 17 milionë milje (rreth 27 milionë kilometra) larg nesh më 19 dhjetor 2025.
Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Harvardit, të udhëhequr nga astrofizikanti Avi Loeb, kanë publikuar një punim ku spekulojnë nëse kjo mund të jetë një teknologji aliene.
”Është një madhësi e pazakontë, përshpejtim i pazakontë, një kurs i pazakontë dhe një sjellje e pazakontë, këto gjëra të kombinuara përputhen shumë ngushtë me një lloj misioni hartografik ose kërkimor. Sigurisht, kjo mund të rezultojë të jetë thjesht një kometë ose një asteroid.
Gjëja e mirë është se kjo është një hipotezë e testueshme. Koha po shkurtohet dhe ne do ta dimë së shpejti nëse po merremi me kontaktin e parë… apo thjesht me një shkëmb të madh,” tha Nick Pope, një hetues i pensionuar i UFO-ve në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në këtë kontekst, shkencëtari beson se nëntori 2025 është një kohë shumë e rëndësishme, pasi 3I/ATLAS do të jetë më afër Diellit.
Ai madje renditi 6 teori kryesore të propozuara nga ekspertët e Harvardit rreth objektit misterioz:
Është shumë i madh për të qenë një asteroid, më i madh se mesatarja.
Shkalla e përshpejtimit të tij duket e pazakontë për një objekt natyror. Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe Teleskopit Hapësinor Hubble, ai po udhëton me një shpejtësi prej rreth 130,000 mph (rreth 209,000 km/h) dhe NASA thotë se me këtë shpejtësi, është vizitori më i shpejtë në sistemin diellor.
Astronomët e pikasën relativisht vonë pasi po vinte nga qendra e galaktikës, ku ka shumë pengesa. Nëse dikush do të dëshironte të dërgonte fshehurazi një sondë në sistemin tonë diellor, kjo është saktësisht rruga që do të zgjidhte.
Trajektorja e tij e bën të vështirë për t’u kapur pasi në pikat kritike ku mund të kryejë operacione teknologjike, ai është i bllokuar nga Dielli.
Po kalon pranë Venusit, Marsit dhe Jupiterit, gjë që e bën trajektoren e tij të duket si një mision hartografik. Ekziston një probabilitet shumë i ulët që kjo të ndodhë në mënyrë natyrale.
Njerëzit nuk do të mund ta shohin në afrimin e tij më të afërt, pasi Dielli do të jetë midis Tokës dhe Atlasit.
Kështu, shkencëtarët kanë frikë se mund të jetë një anije aliene e dërguar për të kryer manovra teknologjike, ose për të vendosur disa sonda që do të vijnë në Tokë. Pavarësisht nëse do të rezultojë të jetë një anije aliene apo thjesht një vizitor i rrallë ndëryjor, 3I/ATLAS është një kujtesë se universi ende mban mistere përtej imagjinatës sonë dhe së shpejti, ne mund të detyrohemi të përballemi me ta.
Deri atëherë, të gjithë sytë dhe teleskopët mbeten të fiksuar në qiell, duke pritur të shohin nëse 3I/ATLAS është thjesht një copëz hapësinore apo kontakti i parë i vërtetë i njerëzimit me inteligjencën aliene. /Korrespodenti