Në shtetin e Tenesit është caktuar ekzekutimi i një gruaje, ngjarje e paprecedent në mbi dy shekuj. Krista Geil Pajk, e dënuar me vdekje për një vrasje makabre të kryer në vitin 1995, pritet të ekzekutohet më 30 shtator 2026 në Institucionin e Sigurisë së Lartë “Riverbend” në Nešvill. Ky do të jetë ekzekutimi i parë i një gruaje në këtë shtet pas më shumë se 200 vjetësh.
Ekzekutimet në SHBA janë shtuar që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, i cili ka shtyrë shtetet të rivendosin dënimin me vdekje. Trump ka bërë thirrje që kjo masë të rikthehet edhe në Uashington D.C., ku ishte shfuqizuar në vitin 2023, duke e cilësuar si mjet parandalues përballë rritjes së krimeve. Vetëm gjatë vitit 2025 janë kryer 34 ekzekutime, ndërsa disa të tjera janë caktuar për vitin 2026.
Kush është Krista Geil Pajk?
Pajk, sot 49 vjeçe, u shpall fajtore për vrasjen e studentes 19-vjeçare Kolin Slemmer në vitin 1995, kur ajo vetë ishte vetëm 18. Sipas mediave amerikane, Pajk dhe dy të tjerë e mashtruan Slemmerin që të shkonte me ta në një pyll në Noksvill, ku më pas e rrahën, e goditën me thikë dhe i skalitën një pentagram në gjoks. Trupi u gjet nga një punëtor i parkut, i cili fillimisht mendoi se kishte të bënte me një kafshë të ngordhur, raporton CBS News, përcjell Korrespodenti.
Në një detaj tronditës, hetuesit zbuluan se Pajk kishte mbajtur një copë të kafkës së viktimës si “trofe” dhe ua kishte treguar shokëve të saj. Kjo mizori e bëri rastin të tërhiqte vëmendje të madhe kombëtare.
Procesi gjyqësor dhe dënimi
Në vitin 1996, vetëm një vit pas krimit, juria e shpalli fajtorë dhe Pajk u dënua me vdekje, duke u bërë personi më i ri në rreshtin e ekzekutimit në SHBA, vetëm 20 vjeç. Për gati tri dekada në burg, ajo ka qenë e vetmja grua në “death row” në Tenesi.
Sipas statistikave zyrtare, që nga viti 1976 vetëm 18 gra janë ekzekutuar në SHBA. Pajk pritet të jetë e 19-ta, duke theksuar edhe më shumë rrallësinë e rasteve kur grave u shqiptohet ky dënim ekstrem.
Apelimet dhe kërkesat për falje
Avokatët e saj kanë kërkuar vazhdimisht që data e ekzekutimit të shtyhet pa afat, duke propozuar në vend të saj një dënim me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirie me kusht. Ata argumentojnë se nëse rasti do të gjykohej sot, një 18-vjeçare nuk do të përballej me dënimin kapital.
Ekipi ligjor thekson gjithashtu se krimi i saj buronte nga një fëmijëri e shënuar nga abuzimi fizik e seksual dhe neglizhenca.
Në një deklaratë për USA Today, ata u shprehën: “Fëmijëria e Kristës ishte e mbushur me dhunë dhe abuzim. Me kohë dhe trajtim për çrregullimet bipolare dhe traumën post-stres, të cilat nuk u diagnostikuan deri shumë vite më vonë, Krista është shndërruar në një grua të ndërgjegjshme me pendesë të thellë për krimin e saj.”
Një rast që rikthen debatin
Rasti i Pajk ka rihapur debatin e gjerë në SHBA mbi dënimin me vdekje, efektin e tij si mjet parandalues dhe trajtimin e grave në sistemin penal. Mbështetësit e ekzekutimit theksojnë egërsinë e krimit, ndërsa kundërshtarët vënë në pah moshën e re të saj në kohën e krimit dhe traumën e kaluar që, sipas tyre, nuk u mor parasysh në mënyrë të drejtë.
Në prag të ekzekutimit të saj të planifikuar për vitin 2026, çështja e Krista Geil Pajk mbetet një nga më të përfolurat në historinë moderne të drejtësisë amerikane, duke rikthyer pyetjen nëse dënimi kapital i shërben shoqërisë apo jo. /Korrespodenti