SHBA ka autorizuar vendet të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht janë të ngarkuara në anije në det, edhe pse ato janë nën sanksione.
Sekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha se kjo ishte një masë e përkohshme për të “promovuar stabilitetin në tregjet globale të energjisë” gjatë luftës. Autorizimi do të zgjasë deri më 11 prill, raporton BBC.
“Kjo masë e kufizuar dhe afatshkurtër vlen vetëm për naftën që tashmë është në tranzit dhe nuk do t’i sjellë përfitime të konsiderueshme financiare qeverisë ruse,” tha Bessent.
Çmimet e naftës u rritën sërish mbi 100 dollarë për fuçi të enjten dhe tregjet e aksioneve ranë pasi edhe tre anije transporti u goditën në Gjirin Persik dhe udhëheqësi i ri suprem i Iran u zotua se do të vazhdojë të bllokojë Ngushticën e Hormuzit – një rrugë kyçe detare përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës së botës.
Bessent shtoi: “Rritja e përkohshme e çmimeve të naftës është një ndërprerje afatshkurtër dhe e përkohshme që do të sjellë një përfitim masiv për kombin dhe ekonominë tonë në afatgjatë.”
Më herët, Bessent tha se qeveria amerikane do të fillojë të shoqërojë anijet përmes Ngushticës së Hormuzit “sapo të jetë e mundur nga pikëpamja ushtarake”.
Nevoja e mundshme për një eskortë ushtarake “ka qenë gjithmonë pjesë e planifikimit tonë”, tha ai për Sky News.
I pyetur nëse kjo mund të fillojë në ditët në vijim, Bessent tha: “Sapo të jetë e mundur të sigurohet kalim i sigurt, ne do ta bëjmë.
