Shamia në shkolla, imami kosovar del me një thirrje publike për ministren Arbërie Nagavci

Imami i njohur i Xhamisë të lagjes së Spitalit, Labinot Maliqi, u ka bërë thirrje autoriteteve të Arsimit, në veçanti ministres Arbërie Nagavci, të rishikojnë qëndrimin mbi udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e shamisë në institucionet shkollore publike.

Ai etiketon këtë ndalesë si bullizuese dhe jo në linjë me parimet themelore të demokracisë dhe të drejtat e njeriut.

Në prag të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor, imami Maliqi u bën thirrje vajzave dhe prindërve të tyre që të mos ngurojnë të praktikojnë të drejtën e tyre për të shprehur bindjet fetare.

Ai inkurajon ato që të vendosin shamitë publikisht dhe me krenari, duke theksuar se shamia nuk është thjesht një simbol fetar, por një detyrim fetar sipas besimit islam.

“Nuk ka nevojë për leje nga dikush tjetër për të praktikuar një të drejtë kaq fundamentale,” thekson Maliqi.

Ai gjithashtu u kërkon atyre që të njoftojnë personin përgjegjës në shkollë për vendimin e tyre për të mbuluar kokën, duke shtuar se nuk duhet të kenë frikë nga pengesa të mundshme.

Maliqi gjithashtu u ofron mbështetje prindërve dhe kujdestarëve që mund të përballen me sfida ligjore si rezultat i këtij ndryshimi, duke u premtuar ndihmë nëpërmjet rrugëve ligjore dhe duke siguruar që të drejtat e tyre për arsim dhe praktikën e lirë të besimit të mbrohen siç parashikohet në Kushtetutën e Kosovës.

Imami Maliqi përsërit thirrjen e tij për ministren Nagavci të reflektojë mbi këtë çështje dhe të ndërmarrë veprime për të shfuqizuar ndalesën, të cilën e cilëson si kundërthënëse ndaj vlerave demokratike dhe kushtetuese.

Ai mbyll thirrjen e tij me urime për suksese në mësime dhe lutje për dituri të shtuar.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here