Në të njejtën orë me seancën konstituive të Kuvendit, në Prishtinë do të mbahet edhe protesta e radhës e grupit “Asnjë cent ma shumë” për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe vjen pas vendimit të ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%.
Një protestë e tillë u mbajt edhe 9 ditë më parë, pikërisht për të njëjtat arsye.
Organizatori i protestës, Besnik Shabiu, dje theksoi se aktivitetet e grupit nuk kanë ndalur dhe se do të vazhdojnë deri në pezullimin përfundimtar të vendimit për shtrenjtimin e rrymës.
Ai shtoi se protesta e nesërme përkon me seancën konstituive të Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve që të veprojnë.
Shabiu paralajmëroi përshkallëzim të veprimeve nëse nuk ka reflektim pas protestës së nesërme.