Presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar se nuk e ka nxitur qëllimisht rënien e tregjeve financiare, por ka riafirmuar synimin e tij për të eliminuar deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara.
Tregjet financiare kanë qenë në rënie të lirë që kur Trump shpalli vendosjen e tarifave reciproke javën e kaluar, duke bërë që edhe Wall Street të humbiste trilionë dollarë.
Të premten, Kina u përgjigj duke vendosur tarifa hakmarrëse me 34 për qind ndaj produkteve amerikane të importuara, duke shkaktuar një përshkallëzim të luftës tregtare.
“Nuk dua që tregjet të bien, por ndonjëherë duhet të përdorësh mjekime për të zgjidhur problemin”, ka thënë Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duhet ta zgjidhin problemin e deficitit tregtar me Kinën.Kemi një trilion dollarë deficit tregtar me Kinën, qindra miliarda dollarë që i humbasim çdo vit. Pa u zgjidhur kjo nuk do të ketë asnjë marrëveshje”, ka vijuar Trump.
Presidenti ka kërkuar dëmshpërblime financiare edhe nga Evropa. “Ne vendosëm një tarifë të lartë ndaj Evropës. Tani ata po vijnë në tryezën e bisedimeve sepse duan të flasin, por nuk do të ketë bisedime pa na paguar shuma të mëdha në bazë vjetore, jo vetëm për të tanishmen por edhe për të kaluarën”, ka thënë Trump.
Javën e kaluar, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do të ishte i hapur për negociata me vendet e tjera vetëm nëse ato u ofronin diçka “fenomenale” Shteteve të Bashkuara.