Ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, Rusia organizoi paradën e saj vjetore të Ditës së Fitores në Moskë të premten, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të huaj nga mbarë bota, përfshirë edhe një përfaqësues nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Ndër udhëheqësit më të shquar ndërkombëtarë që morën pjesë ishin Presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, ndërsa Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dallohej si i vetmi lider nga blloku i 27 shteteve anëtare të BE-së.
Fico, i cili ka sfiduar publikisht politikat e BE-së mbi Ukrainën, shpërfilli paralajmërimet e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kundër vizitës në Moskë, duke deklaruar se “askush nuk mund të më urdhërojë se ku të shkoj ose ku të mos shkoj”.
Po ashtu, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, realizoi të mërkurën udhëtimin e tij të parë në Rusi që pas pushtimit të Ukrainës, duke injoruar mesazhin e BE-së se vizita mund të dëmtonte ambiciet e Serbisë për t’u bashkuar me bllokun evropian.
Kremlini njoftoi se Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillonte takime dypalëshe me Vuçiçin dhe Ficon të premten.
Putin, gjithashtu, u takua të mërkurën me udhëheqësit e Kubës dhe Venezuelës, të cilët morën pjesë gjithashtu në paradë, dhe nënshkruan një marrëveshje për partneritet dhe bashkëpunim strategjik.
Pjesëmarrës ishin gjithashtu udhëheqës të Vietnamit, Burkina Fasos dhe presidentë të disa shteteve ish-sovjetike.
Dita e Fitores, që festohet çdo vit më 9 maj, është një ngjarje e rëndësishme për popullin rus dhe shënohet me një paradë ushtarake madhështore në Sheshin e Kuq.
Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për Presidentin Putin, i cili e përdor atë për të forcua imazhin e Rusisë si një aktor të rëndësishëm ndërkombëtar, pavarësisht përballjes me sanksione të ashpra nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës.
Në fjalimin e tij gjatë paradës, Putin vlerësoi ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë, duke theksuar se “jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre, forcën e shpirtërore që ka sjellë gjithmonë fitore për ne”.
Gjatë ceremonisë, Putin shtrëngoi duar me oficerët që udhëhoqën trupat në paradë dhe zhvilloi biseda me oficerët e lartë të Koresë së Veriut, të cilët ishin të pranishëm dhe morën medalje gjatë ngjarjes.
Muajin e kaluar, Putin falënderoi Korenë e Veriut për luftën e saj përkrah trupave ruse kundër forcave ukrainase dhe përshëndeti sakrificat e tyre, ndërsa Pheniani konfirmoi mbështetje të plotë për Rusinë.
Pas pushtimit të Ukrainës në fillim të vitit 2022, Rusia është përballur me izolim ndërkombëtar dhe një sërë sanksionesh të rënda nga Perëndimi.