Mediat angleze raportojnë se Rusia ka kërcënuar Britaninë e Madhe me “Luftë të 3-të Botërore”, madje duke paralajmëruar se Moska do përdorë armë bërthamore.
Krahu i djathtë i Vladimir Putin, Sergei Shoigu tha se Rusia refuzon që “paqeruajtësit perëndimorë” të vënë këmbën në terrenin e shkatërruar tanimë nga lufta. Ai ka deklaruar po ashtu se janë mëse gati për të nisur me testimin e armëve atomike në Arktik, për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë.
Të gjitha këto kërcënime vijnë me pretendimin se Europa po përgatitet fshehurazi për luftë kundër Rusisë deri në vitin 2030.
“Rusia ka të drejtën e saj për të përdorur armë të tilla në rast agresioni. Ne po monitorojmë me kujdes çdo lëvizje ushtarake të Europës. Politikanët e ndjeshëm e dinë mirë se një skenar i tillë mund të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë e më pas përshkallëzon në luftë globale”, tha ai, referuar përpjekjeve të liderëve në kontinent për dërgimin e trupave në Ukrainë.
“Në përputhje me Strategjinë Kombëtare, në rast se shtetet e huaja kryejnë akte armiqësore që cenojnë sovranietin dhe integritetin territorial të Rusisë, ne marrim masat”, shtoi Shoigu.
Forcat e BE-së dhe ato britanike sipas tij duhet të emrtohen ndryshe si “ndërhyrëse dhe pushtuese”.
Duke u kthyer pas në kohë, ai theksoi se “janë po të njëjtët britanikë që edhe para se të plaste lufta, po ndërtonin bazën e tyre detare në Ochakiv të Ukrainës”, gjë e cila sipas tij tregon një operacion kundër Moskës.
Theksojmë se Shoigu, 69 vjeç, është politikani më jetëgjatë në Rusi. Ai ka qenë në detyrë që para se të shfaqej Putini. Me një eksperiencë të tillë dhe padyshim ndikim të madh te udhëheqësi rus, fjalët e tij duhen marrë shumë seriozisht. Ai pretendon se jemi në një epokë të re të marrëdhënieve SHBA-Rusi, ndërsa vizioni i ashpër i Putinit ka një pyetje në thelb: “Çfarë do të mbrojnë këta ‘paqeruajtës’ në Ukrainë?!”