Rrëshqitja masive e dheut, FSK nis kërkimet për 29-vjeçarin në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”

Me kërkesën e autoriteteve shqiptare, një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i specializuar në kërkim-shpëtimin urban, është dislokuar në Bashkinë Klos, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, për të marrë pjesë në operacionin e shpëtimit pas një rrëshqitjeje masive të dheut.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se ngjarja ka mbuluar një punonjës që ishte duke punuar në fabrikën e përpunimit të kromit.

“Ekipet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, kanë nisur operacionin duke angazhuar personel, pajisje të specializuara dhe ekipe K9, me synimin për realizimin e një ndërhyrjeje të suksesshme”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, shembja e inerteve zuri poshtë 29-vjeçarin Ardit Beshiri teksa po punonte me fadromë për sistemimin e mineralit të kromit, i cili përpunohej në fabrikën e pasurimit në Qafë Burrel, e cila menaxhohej nga një kompani kineze. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar.

Ndërkohë, për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit kanë nisur kërkimet prej tre ditësh, por ende pa rezultat, pasi pajisjet e kërkimit nuk po e lokalizojnë vendin për shkak të masivit të madh të mineralit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here