Ndonëse janë fqinjë mes vete, serbët e ashkalinjët e Rahovecit të hënën shkëmbyen shqelma e boksa.
Nga sulmi që e filluan serbët për shkak të fyerjeve në baza etnike, mbetën të lënduar dy ashkalinjë. Ngjarja dyshohet se u zhvillua në qendër të “Lagjes së Epërme”, raporton Klan Kosova.
Gjithçka nisi si konflikt verbal e më pas eskaloi në sulm fizik.
Të përfshirët nuk deshën të flasin para kamerës me arsyetimin se nuk duan të kenë më shumë probleme.
Me rastin u morën policia që intervistuan tre serbë, teksa një tjetër s’dihet ku është.
Megjithkëtë, familjarët e njërit prej viktimave pohuan se kishte më shumë të përfshirë. Në kushte anonimiteti njëri nga ta tha se ishin mbi 10 serbë që e rrahën familjarin e tij.
Konflikte të tilla u tha se s’ka shpesh.
Lendrit Qeli, shef i zyrës për komunitete në Rahovec, ka thënë se ky rast duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë nga autoritetet e sigurisë teksa siç tha, s’duhet të cilësohet si destabilizim i marrëdhënieve mes komuniteteve joshumicë në këtë komunë. /Klankosova