Robotët hyjnë në luftë, Ukraina hap një epokë të re ushtarake

Ukraina po përjeton një revolucion teknologjik në fushën e luftës, duke u bërë vendi i parë që po integron në masë robotët në operacionet ushtarake. Ndër to spikat “Zmiy”, një robot i prodhuar në Ukrainë që, ndonëse quhet “gjarpri”, nuk lëviz si ai, por zvarritet në heshtje mbi tokë duke shpërthyer mina ruse.

Ky robot është pjesë e një programi ambicioz për të dislokuar mbi 15000 sisteme pa pilot këtë vit, për të kompensuar mungesën e ushtarëve në front, ku ushtarët ukrainas janë shpesh të tejkaluar në numër dhe armatim nga forcat ruse.

Ukraina ka krijuar një forcë të posaçme për sistemet pa pilot dhe është kthyer në një laborator për teknologjitë e ardhshme të luftës. Robotët përdoren për zbulim, çminim, transport furnizimesh dhe shpëtim të të plagosurve, por gjithnjë më shumë po përfshihen edhe në sulme të drejtpërdrejta.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Ukraina realizoi sulmin e parë vetëm me robotë pranë fshatit Lyptsi, ku dronët ajrorë dhe tokësorë bashkëpunuan për të pastruar pyjet dhe goditur pozicionet ruse, duke i zënë kundërshtarët në befasi.

Megjithëse shumë nga këto sisteme janë ende në fazë testimi dhe jo gjithmonë funksionojnë siç pritet, përvoja e fituar nga këto operacione po ndihmon Ukrainën të zhvillojë robotë më të lirë, më praktikë dhe më të adaptueshëm se homologët e tyre perëndimorë.

Ekspertët paralajmërojnë se etika dhe rregullat ndërkombëtare duhet të përparojnë me të njëjtin ritëm, përndryshe rrezikojmë një të ardhme ku “robotët vrasës” veprojnë pa mbikëqyrje njerëzore. Megjithatë, Ukraina ka dëshmuar se në këtë luftë për mbijetesë, teknologjia është shndërruar në një armë kyçe.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here