“Reuters”: Një rrjet i fshehtë kinez po mundohet t’i joshë punonjësit e shkarkuar amerikanë

Një rrjet i kompanive që operohet nga një firmë e fshehtë kineze e teknologjisë ka qenë duke u përpjekur për të rekrutuar punëtorë qeveritarë amerikanë që janë larguar nga puna rishtazi, sipas reklamave për vende pune dhe një hulumtuesi që e ka zbuluar fushatën.

Max Lesser, analist i lartë i rreziqeve në organizatën me seli në Uashington, Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, tha se disa kompani që po vendosin reklama rekrutimi janë “pjesë e një rrjeti më të gjerë të kompanive të rreme konsultuese dhe në kërkim të kokave, të cilat në shënjestër kanë ish-punonjës qeveritarë dhe hulumtues të inteligjencës artificiale”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pak të dhëna janë të qasshme publikisht për katër kompanitë për konsultime dhe rekrutime që dyshohet se janë të përfshira në këtë rrjet, i cili në disa raste shpërndau uebfaqe që i mbivendosen njëra-tjetrës, e kanë bazën në të njëjtin server ose kishin vegëza të tjera digjitale, sipas raportimit të agjencisë “Reuters” dhe hulumtimit të Lesser-it.

Uebfaqet e katër kompanive mbahen në adresën e njëjtë të IP-së bashkë me kompaninë e shërbimeve të internetit “Smiao”, uebfaqja e së cilës u bë e paqasshme gjatë raportimit të agjencisë “Reuters”. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta përcaktonte natyrën e marrëdhënies mes kompanisë “Smiao Intelligence” dhe katër kompanive të tjera.

Përpjekjet e agjencisë së lajmeve për t’i gjurmuar katër kompanitë dhe “Smiao Intelligence” hasën në shumë rrugë pa krye, përfshirë telefonatat pa përgjigje, numrat e telefonave që nuk janë më në funksion, adresat e rreme, adresat që çonin në fusha boshe, shkresat elektronike pa përgjigje dhe listat me vende pune që ishin fshirë nga rrjeti “LinkedIn”.

Lesser-i, i cili e zbuloi këtë rrjet dhe e ndau hulumtimin e tij me agjencinë “Reuters” para publikimit, tha se fushata ndjek teknika “të themeluara mirë” që përdoren nga operacionet e ndryshme të inteligjencës kineze.

“Ajo që e bën këtë aktivitet domethënës, është që rrjeti synon që t’i shfrytëzojë brishtësitë financiare të ish-punëtorëve federalë të prekur nga shkarkimi masiv i bërë rishtazi” – tha ai.

Agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte nëse këto kompani janë të lidhura me Qeverinë e Kinës ose nëse është rekrutuar ndonjë ish-punonjës federal amerikan, përcjell gazeta “Nacionale”.

Kur u pyetën nga agjencia “Reuters”, tre analistë të inteligjencës thanë se ky rrjet duket se është një shembull parësor i asaj se si entitete me lidhje të jashtme po mundohen që të grumbullojnë të dhëna të inteligjencës nga stafi i shkarkuar ose i detyruar për të dalë në pension nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe nga Departamenti i Efiçiencës Qeveritare, i cili drejtohet nga miliarderi Elon Musk.

Sipas analistëve, pasi të punësohen nga ky rrjet, ish-punonjësve federalë mund t’u kërkohet që të ndajnë të dhëna gjithnjë më të ndjeshme për operacionet qeveritare, ose të rekomandojnë njerëz që mund të vihen në shënjestër për pjesëmarrje të vullnetshme ose pa dashje.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington i tha agjencisë “Reuters” se Kina nuk ishte e vetëdijshme për ndonjërën nga entitetet që dyshohet se janë pjesë e kësaj fushate dhe se Pekini i respekton privatësinë dhe sigurinë e të dhënave.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Kina vazhdimisht po mundohet që ta shfrytëzojë “sistemin e lirë e të hapur” të Shteteve të Bashkuara përmes spiunimit dhe detyrimit. “Edhe punonjësit aktivë qeveritarë, edhe ish-punonjësit duhet t’i njohin rrezikun që këto qeveri e paraqesin dhe rëndësinë e ruajtjes së të dhënave qeveritare” – tha zëdhënësi amerikan.

Televizioni CNN raportoi më 28 shkurt se inteligjenca amerikan beson që Rusia dhe Kina po vënë në shënjestër punonjës qeveritarë amerikanë që janë të pakënaqur, diçka që të dyja vendet e kanë bërë me vite. Kompanitë në rrjetin e zbuluar – të cilat publikuan shpallje pune në “Craiglist”, “LinkedIn” dhe në uebfaqe të tjera për vende pune – do të mund të ishin provë konkrete se operacione të tilla janë duke u zhvilluar, tha Lesser-i./Nacionale

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here