Nga Prof. Dr. Adrian Civici
Kur Thomas Piketty botoi librin Kapitalin në Shekullin XXI, komuniteti akademik ndërkombëtar u gjend përpara një arsenali të paprecedent të dhënash empirike. Libri i tij i parë ishte një skanim pothuajse pozitivist i mekanikës së akumulimit të pasurisë.
Mirëpo, me veprën e tij pasuese, Kapitali dhe Ideologjia (Capital et Idéologie), botuar nga shtëpia botuese Papirus, ekonomisti francez ka ndërmarrë një kapërcim epistemologjik epokal: ai ka lënë pas llogaritë e ftohta ekonometrike për të hyrë me të dyja këmbët në terrenin e nxehtë të historisë, sociologjisë dhe, mbi të gjitha, të teorisë politike.
NOA
Teza qendrore që përshkon këtë vëllim monumental është sa e thjeshtë, aq edhe përmbysëse: pabarazia nuk është një determinizëm ekonomik apo teknologjik; ajo është, në themel, një konstrukt ideologjik dhe politik. Piketty synon të rrëzojë mitin neoliberal të tregut që autorregullohet apo idenë se hendeku gjithnjë e më i gjerë social është “çmimi natyror” që shoqëria duhet të paguajë për progresin dhe inovacionin.
Për autorin, çdo rend shoqëror ndërton një narrativë të qëllimshme legjitimuese për të arsyetuar strukturën e tij të shpërndarjes së pasurisë. Asnjë mbret, feudal apo miliarder i Silicon Valley nuk mund të gëzojë privilegjet e tij nëse pjesa tjetër e shoqërisë nuk pranon një sfidë të përbashkët që e bën këtë pabarazi të gëlltitshme.
Piketty nënvizon se ideologjia është mburoja e vërtetë e kapitalit: ajo e kthen akumulimin e pafundëm të pasurisë në një akt heroizmi shoqëror, duke u thënë të varfërve se fati i tyre është thjesht pasojë e vullnetit hyjnor ose e mungesës së talentit dhe përpjekjes individuale.
Por, sipas tij, kjo mburojë ka një datë skadence. Kur makineria ekonomike fillon të prodhojë vetëm pasuri për dinastitë financiare dhe varfëri të pandryshueshme për masën, rrëfimi meritokratik fillon e kriset. Kur kjo narrativë humb legjitimitetin e saj moral dhe kthehet në fyerje për inteligjencën kolektive, sistemi pashmangshmërisht pëson kolaps. Historia na mëson se asnjë perandori financiare apo politike nuk mund t’i mbijetojë fundit të ideve që e mbanin në këmbë. Kur bie besimi te drejtësia e sistemit, rënia e vetë sistemit është thjesht çështje kohe.
Për të vërtetuar këtë tezë, Piketty ndërmerr një skanim të hollësishëm historik të atyre që ai i quan “Regjimet e Pabarazisë”. Sipas Tij, ky evolucion shtrihet në tri etapa madhore:
Shoqëritë Trinitare (Ancien Régime): Një strukturë e trefishtë ku funksionet ishin të ndara qartë: Klerikët (për udhëheqjen shpirtërore), Fisnikët (për mbrojtjen ushtarake) dhe Klasa e Tretë (për punën produktive). Ideologjia e kohës e shiste këtë pabarazi si një harmoni hyjnore të domosdoshme për stabilitetin.
Shoqëritë e Pronësisë (Shekulli XIX): Pas Revolucionit Francez, vendin e statusit të lindjes e zuri “shenjtërimi i pronës private”. Prona u shndërrua në një koncept të shenjtë dhe të pacënueshëm, çka çoi në nivelet më ekstreme të përqendrimit të kapitalit që ka njohur historia njerëzore përpara Luftës së Parë Botërore.
Hiperkapitalizmi Modern: Në ditët e sotme, ky regjim është rafinuar në formën e “Meritokracisë”. Sot, elita ekonomike nuk e arsyeton pasurinë e saj me punën apo pronën e trashëguar, por me inteligjencën, inovacionin dhe orët e gjata të punës. Ky ligjërim mbart një ngarkesë të re psikologjike: ai e shndërron varfërinë nga një fatkeqësi strukturore në një dështim të pastër individual të vetë të varfërve.
Një nga kontributet e librit në fushën e sociologjisë politike është zbërthimi i transformimit të skenës elektorale perëndimore që nga vitet 1950-të. Piketty shpjegon me detaje se si harta politike është ndarë në dy elita që ushqehen reciprokisht, duke lënë jashtë klasën punëtore tradicionale:
Kjo zhvendose strukturore prodhon një pasojë dramatike: klasa punëtore pa arsim të lartë është ndjerë e braktisur nga përfaqësimi tradicional. Ky vakum politik shpjegon pothuajse tërësisht valën e populizmit dhe nacionalizmit nativ që po trondit sistemet demokratike perëndimore.
Piketty nuk mjaftohet vetëm me rolin e historianit apo të kritikut; ai guxon të propozojë një arkitekturë të re socio-ekonomike përmes një programi radikal të quajtur Socializëm Pjesëmarrës.
Kjo platformë mbështetet mbi katër shtylla kryesore reformuese:
Pronësia e Përkohshme dhe “Trashëgimia për të Gjithë”. Duke argumentuar se nyja gordiane e kapitalizmit qëndron te përqendrimi i trashëguar i pronës dhe jo thjesht te diferencat e pagave, Piketty propozon konceptin e pronësisë së përkohshme. Përmes një takse progresive vjetore mbi pasurinë që mund të shkojë deri në 90% për miliarderët, ai synon të shpërbëjë dinastitë familjare të kapitalit.
Me fondet e gjeneruara nga ky taksim agresiv, shteti do të financonte një kapital fillestar universal prej rreth 120,000 eurosh për çdo qytetar që mbush moshën 25 vjeç, duke garantuar një pikënisje reale dhe të prekshme në jetën ekonomike.
Demokratizimi i Korporatës. Për të thyer diktaturën e pastër të aksionerëve, propozohet modeli i bashkëpërcaktimit, i frymëzuar pjesërisht nga sistemet skandinave. Punëtorëve u garantohet ligjërisht 50% e votave në bordet drejtuese të kompanive të mëdha. Për më tepër, vendoset një tavan ku asnjë aksioner i vetëm, pavarësisht përqindjes së kapitalit që zotëron, nuk mund të ketë më shumë se 10% të fuqisë totale të votimit në bord.
Drejtësia Arsimore dhe Federalizmi Global. Në rrafshin social, kërkohet zëvendësimi i meritokracisë false me një sistem ku shteti investon një vlerë monetare të barabartë për cdo nxënës, që nga arsimi fillor deri te ai universitar.
Ndërsa në rrafshin makro-ekonomik ndërkombëtar, Piketty mbron idenë e një “Pasaporte Financiare” dhe një regjistri global të pasurisë për të zhdukur evazionin në parajsat fiskale, të shoqëruar me asamble ndërnacionale që kushtëzojnë tregtinë e lirë me taksa të përbashkëta mbi karbonin dhe mbi korporatat multinacionale.
Prirja qartësisht politike e këtij vëllimi të dytë ka shkaktuar një polarizim të ashpër në qarqet e kritikës perëndimore:
Kampi Liberal dhe i Djathtë, gazeta dhe revista si The Economist apo The Wall Street Journal, e ka cilësuar programin e Piketty-t si një “recetë të pastër për kolaps ekonomik“. Sipas tyre, një taksim prej 90% do të shkatërronte çdo incentivë për inovacion dhe kursim, duke provokuar një ikje masive të kapitalit. Ai është etiketuar si një “neo-marksizëm i maskuar” që kërcënon lirinë individuale përmes sulmit ndaj pronës.
Daron Acemoglu (Profesor në MIT, autor i librit “Pse dështojnë kombet”), i njohur për teoritë e tij mbi rëndësinë e institucioneve, e kritikon Piketty-n për reduktim të historisë vetëm te taksat. “Piketty tenton t’i shpjegojë të gjitha ndryshimet historike dhe institucionale përmes lentes së ngushtë të pabarasisë dhe politikave fiskale. Historia është shumë më komplekse. Institucionet demokratike, të drejtat e njeriut dhe rritja e produktivitetit shpesh kanë evoluar përmes faktorëve që nuk lidhen fare me taksimin progresiv që propozon ai.”
Larry Summers (Ish-Sekretar i Thesarit në SHBA dhe Profesor në Harvard), një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të ekonomisë neoliberale, ka qenë mjaft kritik ndaj qasjes radikale të Piketty-t mbi taksat. “Nëse zbaton një taksë vjetore prej 90% mbi pasurinë e miliarderëve, ti nuk po takson thjesht të pasurit; ti po shkatërron makinerinë e investimeve dhe të kapitalit që financon inovacionin e shoqërisë. Piketty nënvlerëson rrezikun e madh të ikjes së kapitalit dhe dëmin që kjo u shkakton vendeve që e aplikojnë.”
Kritika Metodologjike ka vënë në dyshim reduktimin që autori i bën historisë njerëzore, duke e parë atë ekskluzivisht përmes lentes së taksave dhe pabarazisë, si dhe ka shprehur skepticizëm të thellë gjeopolitik mbi fizibilitetin e një qeverisjeje fiskale globale në një botë shtetesh sovrane konkurruese.
Akuzat për “Obsesion” pas pabarazisë: Kritikët argumentojnë se Piketty është i fiksuar pas mënyrës se si ndahet “torta” ekonomike, duke harruar se si rritet ajo. Ata theksojnë se megjithëse pabarazia është rritur, kapitalizmi global ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria ekstreme në dekadat e fundit, një fakt që, sipas tyre, Piketty e minimizon.
Tyler Cowen (Profesor në George Mason University), e ka sulmuar ashpër propozimin e Piketty-t për “Trashëgiminë për të Gjithë” (granti prej 120,000 eurosh në moshën 25 vjeç). “Ideja e Piketty-t për t’i dhënë çdo 25-vjeçari një thes me para të financuar nga konfiskimi i pasurisë është një naivitet ekonomik. Kjo jo vetëm që do të nxiste një inflacion të menjëhershëm në tregun e pasurive të patundshme, por shpërndarja masive e parave pa pasur rritje reale të produktivitetit është thjesht një iluzion populist që destabilizon financat publike.
Ndërkohë, e Majta Radikale, paradoksalisht, e ka parë Piketty-n “si jo mjaftueshëm radikal”. Për marksistët tradicionalë, ai mbetet një ekonomist borgjez social-demokrat që përpiqet të shpëtojë kapitalizmin përmes instrumenteve fiskale rishpërndarëse, në vend që të kërkojë përmbysjen e plotë të marrëdhënieve të prodhimit.
Në përfundim, mund të thuhet se , sic shprehen shume kritike e ekspertë të kësaj fushe, meritë kryesore e Kapitalit dhe Ideologjisë nuk është domosdoshmërisht realizueshmëria e menjëhershme e propozimeve të tij, por rikthimi i ekonomisë aty ku ajo ka lindur: si një shkencë sociale që lidhet ngushtë me politikën, historinë dhe sociologjinë, duke ndjekur gjurmët e Adam Smith, David Ricardo dhe Karl Marx.
Piketty-s i vlerësohet merita “se ka zhveshur shkencën ekonomike nga petku i një disipline ekzakte me ligje të pandryshueshme natyrore”. Për dekada me radhë, ortodoksia ekonomike e tregut të lirë u përpoq ta izolonte veten në një sistem modelesh matematike abstrakte, duke pretenduar se pabarazia apo shpërndarja e kapitalit ishin thjesht rezultate të ekuacioneve të ftohta, pothuajse jashtë vullnetit njerëzor.
Duke e rikthyer analizën te rrënjët e saj historike dhe sociologjike, Piketty dëshmon se ekonomia nuk funksionon në një vakum laboratorik. Normat e interesit, taksat, pronësia dhe pagat nuk janë konstante fizike; ato janë produkt i konjukturave politike, i marrëveshjeve shoqërore dhe i raporteve të forcës midis klasave.
Me këtë kapërcim, ai e zbret ekonominë nga miti i një “shkence natyrore” dhe e rikthen aty ku ajo ka lindur dhe ku e ka vendin: si një degë e ekonomisë politike, ku çdo vendim nuk është një fatalitet matematikor, por një zgjedhje e pastër njerëzore dhe ideologjike.
Paul Krugman (Laureat i Çmimit Nobel në Ekonomi), e ka vlerësuar guximin e Piketty-t për të gërshetuar ekonominë me historinë sociale, duke e cilësuar librin si një kryevepër akademike. “Piketty ka plotësisht të drejtë kur thotë se pabarazia nuk është thjesht një proces ekonomik i verbër, por një zgjedhje politike. Kontributi i tij më i madh është se ai detyron ekonomistët të shohin përtej ekuacioneve të tyre dhe të kuptojnë se si ideologjia dhe pushteti i grisin rregullat e tregut.”
Thomas Piketty nuk shihet thjesht si një teknik i numrave, por shihet e vlerësohet si një ekonomist-filozof.
Për të majtën progresiste, ai është heroi akademik që vërtetoi shkencërisht plagët e kapitalizmit modern dhe ofroi zgjidhje të guximshme.
Për të djathtën dhe liberalët, ai mbetet një ideolog i rrezikshëm social-demokrat, propozimet e të cilit kërcënojnë lirinë e tregut dhe rritjen ekonomike.
Mesazhi i tij përfundimtar, ndonëse konsiderohet utopik nga kritikët, mbetet një manifest optimist: meqenëse janë idetë dhe zgjedhjet tona politike ato që e kanë krijuar këtë sistem pabarazie, janë po idetë e reja dhe guximi reformues ato që mund ta ndryshojnë atë drejt një shoqërie më të drejtë.


