Reçica: Nuk po ikin vetëm ata me pagë të ulët, por edhe ata që po paguhen mirë – diçka nuk është duke funksionuar në Kosovë

Ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emisionin A LIVE në ATV, tha se ka tendencë të ikjeve nga Kosova edhe të qytetarëve që paguhen mirë dhe kanë një ekonomi familjare solide.

“Unë mendoj që problemin e ikjes së fuqisë punëtore duhet analizuar bukur thellë sepse nuk janë duke ikur vetëm ata që nuk kanë kushte të punës, nuk janë duke ikur vetëm fuqia punëtore që ka një pagë të ulët dhe nuk arrin ta mbulojë shportën familjare. Ta kemi parasysh, nga Kosova ka tendencë të ikjes edhe nga njerëz që paguhen mirë, edhe të njerëzve që e kanë një ekonomi solide dhe arsyeja qëndron dhe diskutimi duhet nënvizuar, përse kjo tendencë e qytetarëve të Kosovës, ku është shoqëria e jonë, ku është Qeveria e jonë, çka është kah bën, pse nuk po arrin ta bindë qytetarin, i cili ka një mirëqenie dhe që ka qëllimin të ikë nga ky vend”, tha Reçica.

Ai tha se përkundër se bizneset janë ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, një numër i madh i qytetarëve të përgatitur akademikisht vazhdojnë të jenë të regjistruar si të papunë.

“Kur ta bësh një analizë, mirë që këta të rinj kanë një përgatitje akademike, kanë një përgatitje profesionale dhe janë të denjët për tregun evropian. Por në anën tjetër, ku jemi ne si Kosovë, ku është ekonomia e Kosovës, ku janë bizneset e Kosovës. Unë për këtë mund të marr edhe shembuj nga eksperienca e ime profesionale sepse unë kam drejtuar për një kohë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe që nga atëherë e di që bizneset ballafaqohen me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar në njërën anë dhe në anën tjetër ne kemi pasur qytetarë të Kosovës, të përgatitur akademikisht dhe kanë qenë të regjistruar si të papunë. Në fakt po të behet një analizë në njërën anë bizneset që tanë kohën nuk kanë fuqi punëtore dhe tjetrën anë kemi pasur një numër që besoj është edhe tani i regjistruar si të papunë diçka këtu nuk ka funksionuar dhe nuk është duke funksionuar”, vlerësoi ish-ministri Reçica.

Sipas tij, Kosova edhe para liberalizimit të vizave, ka pasur probleme me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Këtyre ditëve, por edhe para se të futej në fuqi vendimi për lirinë e lëvizjes, janë bërë shumë debate, janë ngritur shumë çështje, janë ngritur shumë diskutime se do të ikin qytetarët e Kosovës, do të ketë mungesë së fuqisë punëtore, do të ketë mungesë të konsumit. Në fakt duhet të analizohet pak më thellë. Ne jemi dëshmitar që në Kosovë tashmë një kohë kemi mungesë të fuqisë punëtore. Cilës fuqi punëtore, fuqisë punëtore të kualifikuar. Ne jemi dëshmitarë që viteve të fundit në përgjithësi, ka pasur një lëvizje të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, kemi pasur rastin në fuqinë punëtore të kualifikuar në fushën e mjekësisë, pastaj në fushën e IT-së dhe në fushate tjera të cilat i ka konsumuar tregu evropian”, tha Reçica. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights