Komisioni Evropian e ka publikuar të martën Raportin e Progresit në të cilën përfshihet Kosova dhe Serbia për periudhën 2024-2025
Sipas Raportit të Progresit, Serbia dhe Kosova pritet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë aneksin për zbatimin e saj, si dhe marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Raporti thekson se nga Serbia pritet të fillojë zbatimin e obligimeve të saj duke pranuar dokumentet, simbolet dhe institucionet e Kosovës.
Nga Kosova, pritet të nisë procesi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç është rënë dakord më parë.
Ky raport shërben si një pasqyrë e avancimeve dhe sfidave në procesin e dialogut ndërmjet dy vendeve dhe mbetet një mjet i rëndësishëm për Bashkimin Evropian në monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve.
Çka thuhet enkas për Serbinë?
U theksua se në Serbi ekzistojnë sfida në funksionimin e institucioneve demokratike për shkak të polarizimit politik në rritje, si në nivel kombëtar, ashtu edhe lokal.
Një shembull tragjik është rrëzimi i strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, i cili nxiti protestat masive studentore dhe qytetare dhe bllokada në të gjithë vendin, që vazhdojnë, raporton N1.
Shumica e protestave u lejuan nga autoritetet, dhe policia siguroi sigurinë gjatë tubimeve. Megjithatë, u regjistruan incidente dhe sulme ndaj studentëve dhe demonstruesve paqësorë, përfshirë sulme që rezultuan me lëndime të rënda, aksidente trafiku (“godit dhe ik”) dhe sulme të tjera fizike.
Gjatë verës, incidentet u intensifikuan, përfshirë aktet vandalizmi dhe sulme ndaj pronave të individëve dhe bizneseve që konsideroheshin mbështetës të protestave.
Në fushën e medias dhe shoqërisë civile, situata është vlerësuar si përkeqësim:
Janë regjistruar sulme, paditë SLAPP, intimidime dhe arrestime të gazetarëve.
Organe rregulluese dhe shërbime publike nuk janë të pavarura, dhe skena mediatike është nën “ndikim politik dhe përqendrim të pronësisë”.
Komisioni kërkon që Serbia të sigurojë “pluralizmin, pavarësinë dhe cilësinë e raportimit”.
Në fushën e sundimit të së drejtës dhe korrupsionit, raporti thekson:
Përpjekjet për ndikim politik në drejtësi minojnë demokracinë.
Korrupsioni mbetet në nivel të lartë, dhe lidhja mes krimit të organizuar dhe politikës si dhe mungesa e rezultateve në ndjekjen penale janë ende probleme kyçe.
Është nevojshme parandalimi i “kapjes së shtetit” (state capture) dhe sigurimi i një mbikëqyrjeje efikase mbi konfliktin e interesave dhe pasuritë e funksionarëve.
