Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për “Front Online” ka folur lidhur me mungesën e familjes Jashari në ceremoninë e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Lladrovci, i cili mori pjesë në varrim, tha se megjithëse kishte angazhime jashtë vendit, i anuloi ato për të qenë prezent në këtë ceremoni.“Sot, është mbajtur ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit dhe me dhimbje, mora pjesë në këtë ceremoni, megjithëse kisha agjendë jashtë vendit, të gjitha i anulova për të qenë aty”, u shpreh ai.Ai theksoi se agjenda mund të kishte qenë një pengesë për mospjesëmarrjen e familjes Jashari, ndërsa shtoi se pjesëtarët e kësaj familjeje mund të vizitojnë për ngushëllime gjatë tri ditëve të para pas varrimit.
“Sot, është mbajtur ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit dhe me dhimbje, mora pjesë në këtë ceremoni, megjithëse kisha agjendë jashtë vendit, të gjitha i anulova për të qenë aty. Agjenda ka mundur të jetë pengesë për mospjesëmarrje në varrim, ndërsa sa i takon reagimit, mendoj se pjesëtarët e familjes Jashari i japin përparësi traditës. Gjatë tri ditëve sa zgjat e pamja, pres të shkojnë për ngushëllime edhe anëtarë të familjes Jashari”, deklaroi Lladrovci.
Ai përfundoi duke thënë se nuk dëshiron të besojë se ka diçka të qëllimshme në mospjesëmarrjen e familjes Jashari në këtë ngjarje të rëndë.“Ashtu siç pres të shkojnë për ngushëllime edhe tre krerët më të lartë të shtetit, megjithëse nuk kanë qenë në ceremoninë e varrimit. Në këto ditë të rënda për familjen Thaçi dhe të gjithë neve që e njohim e nderojmë familjen dhe ish Presidentin Thaçi, nuk dua ta besoj se ka diçka të qëllimshme për të mos qenë bashkë në dhimbje”, përfundoi Lladrovci.