Rama: Gjuha shqipe së shpejti gjuhë zyrtare e BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vlerësuar Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe si pjesë të rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe. Në fjalën hapëse në Kuvendin “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, Rama ka thënë se gjuha shqipe së shpejti do të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian.

“Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’u mbijetojë sfidave të këtij shekulli, që kërcënojnë gjuhët në tërësi dhe rrënjët e njerëzimit në përgjithësi. Shumë shpejt do të jetë edhe gjuhë zyrtare në BE, ku, në mos gjuha më e lashtë e kombeve europiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre”, ka thënë Rama, siç transmeton “Euronews Albania”.

Rama ka njoftuar se të premten, në Ditën e Alfabetit, do të publikohet drafti i fjalorit të përditësuar të gjuhës shqipe. Sipas tij, ky draft do të dalë për konsultim publik. Ai ka thënë se akademikët kanë për detyrë që ta mbrojnë gjuhën shqipe nga ata që “hedhin hipoteza të paqena”.

“Ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm, pasi jemi nën agresionin e barbarisë dhe lloj-lloj delirantësh injorantësh që gjejnë hapësirë përmes rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të jemi në mbrojtje dhe e kemi detyrim që gjuha të mos degradojë në pikën e moskthimit”, ka thënë Rama.

E ministrja e Arsimit në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka thënë se ky kuvend duhet të shërbejë për shërben ta mbrojtur e për t’u krenuar me trashëgiminë gjuhësore.

Ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci u shpreh se gjuha është thelbi identitar i çdo kombi dhe epiqendra e kulturës dhe traditës së një shoqërie.

“Shqipja është një rast i rrallë i një gjuhe të vogël e mbijetuar mrekullisht, përkundër të gjitha stuhive të kohës me të cilat u përball. Fatmirësisht, sot shqiptarët në të gjitha trojet jetojnë në liri dhe demokraci, një moment ky i përkryer për të punuar së bashku për gjuhën tonë shqipe”, ka thënë Nagavci.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here