Në një aksion të gjerë, Qeveria dhe Policia mbyllën institucionet paralele ilegale të Serbisë për dhjetë komuna në Kosovë: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skenderaj.
Krahas të ashtuquajturave komuna, u mbyllën edhe zyra tatimore dhe posta paralele-ilegale.
Në një video-adresim të përbashkët ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi zyrave të mbyllura iu referuan si “fundi i paralelizmave kriminal të Serbisë”.
Në kuadër të aksionit, njoftimi për “ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë” iu vendos derës kryesore të komunës paralele ilegale në Graçanicë.
Vetëm 200 metra më poshtë, në po atë rrugë, njësoj u veprua edhe me zyrat e postës pa licencë.
Me flamurin e Serbisë në dorën e djathtë, dhe disa dokumente në të majtën, nga aty u largua drejtori i kësaj poste paralele-ilegale.
“Policia erdhi për të mbyllur postën, duke thënë se është gjë e përkohshme derisa të aplikojmë për licencë. Por, mua asgjë s’më duket e përkohshme, as qëllim i përkohshëm. Sikurse në veri, ashtu edhe në jug, qëllimi është tjetër, të heqin postën nga bisedimet në Bruksel, sepse atje po diskutohet për këtë. Këtë e di Kurti, por s’ka nevojë para zgjedhjeve të bëj filma. Filma sikurse që bënte represion me Policinë ndaj popullit serb. Kjo fushatë është negative dhe them se do t’i ‘thyhet për koke’”, tha Ivan Milojeviq, drejtor i postës së mbyllur në Graçanicë.
Dryni iu vu zyrës së postës së njëjtë edhe në fshatin Uglarë.
Po aty, u mbyll edhe institucioni paralel për komunën e Fushë Kosovës.
Njoftimi i njëjtë u vendos edhe në derën e zyrës paralele ilegale për Lipjanin.
Për këtë aksion nuk dha leje Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi”, thuhet në njoftimibn nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Për, siç shprehimisht shkroi, “ndërprerjen e aktiviteteve të institucioneve të jashtëligjshme”, Policia njoftoi se asistoi me kërkesë të Qeverisë.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më herët, këtë vit dhe të kaluarin, në aksione të ndryshme u mbyllën një mori institucionesh paralele ilegale të Serbisë në Kosovë. /atvlive.tv