Provokimi dhe pesha e luftës: Ushtrimet ushtarake kineze si ndëshkim për Tajvanin

Ushtrimet ushtarake kineze afër Tajvanit të hënën ishin ndëshkim për promovimin e vazhdueshëm të “separatizmit” nga presidenti tajvanez, Lai Ching-te, sipas një deklarate të ashpër nga Pekini, ndërsa Tajvani u kundërpërgjigj, duke e quajtur Kinën ngatërrestare.

Kina, e cila kurrë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll Tajvanin që ka qeverisje demokratike, e ka shtuar presionin ushtarak dhe politik ndaj ishullit viteve të fundit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se Kina kishte kryer “patrullime të përbashkëta të gatishmërisë luftarake “ – një në mëngjes dhe një pasdite – duke dërguar 54 aeroplanë luftarakë, përfshirë ata të tipit J-10, si dhe dronë në zona afër Tajvanit.

Sipas kësaj ministrie, aeroplanët kinezë fluturuan në hapësirën ajrore në veri, perëndim, jugperëndim dhe lindje të Tajvanit dhe se forca ajrore e detare tajvaneze u dislokuan për ta vëzhguar situatën.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se mes këtyre aeroplanësh, 42 prej tyre e kaluan vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit, kufi jozyrtar mes dy palëve.

Nëse administrata e Lai-t “guxon që të provokojë e të luajë me zjarr, ajo vetëm do ta sjellë shkatërrimin e vetes” – tha në një deklaratë një zëdhënës i Zyrës kineze për Çështje të Tajvanit.

Tajvani në mënyrë rutinore raporton për aktivitete të tilla ushtarake nga Kina, por Qeveria e Kinës rrallë i komenton ato.

Zyrtarë të sigurisë në Tajvan kanë thënë se Kina po mundohet që t’i normalizojë ushtrimet ushtarake afër ishullit, duke kryer patrullime të tilla afër Tajvanit mesatarisht për çdo 7 – 10 ditë.

Kina e cilëson Tajvanin pjesë të territorit të saj, por ky pretendim kundërshtohet nga Taipei. Presidenti i ishullit thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet./

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here