Prishtina, Peja, Gjilani, Gjakova, Mitrovica e Jugut dështojnë me investime kapitale, shkëlqejnë Obiliqi e Deçani
Katër Komunat kryesore të Kosovës, Prishtina, Peja, Gjakova dhe Gjilani, kanë raportuar pak buxhet të shpenzuar në kategorinë e investimeve kapitale në tre mujorin e parë të vitit 2024, përderisa rekord shpenzimesh ka ndodhur në Obiliq dhe Deçan.
Sipas raportit tre mujor financiar të Ministrisë së Financave, Prishtina gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar vetëm 3% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale, Peja 7%, Gjilani 8%, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut nga 9% të buxhetit. Dukshëm më mirë qëndrojnë Ferizaji dhe Prizreni, të cilat kanë shpenzuar nga 21% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Në anën tjetër, Obiliqi vetëm për tre muaj ka shpenzuar 59% të buxhetit, ndërsa Deçani 57%.
Katër Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, të cilat nga viti i kaluar udhëhiqen nga kryetarët shqiptar nuk e kanë shpenzuar asnjë cent në kategorinë e investimeve kapitale, raporton FrontOnline.
Përpos nivelit lokal, edhe niveli qendror ka raportuar pak investime kapitale në tre mujorin e parë 2024, me ç’rast 6 Ministri të Qeverisë “Kurti” kanë raportuar zero investime kapitale për tre muajtë e parë të këtij viti.