Gjatë vizitës së tij të parë në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u tha trupave izraelite se ata ishin duke e ndjekur të drejtën ndërkombëtare, përfshirë rastet kur bëhet fjalë për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
“Ne jemi duke vepruar këtu në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, jemi duke ofruar ndihma humanitare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” – tha presidenti izraelit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Ata që po mundohen ta sabotojnë atë ndihmë humanitare janë Hamasi dhe operativët e tij, të cilët janë të gatshëm që të bëjnë gjithçka, në thelb, për t’ua parandaluar forcave tona çmontimin e infrastrukturës që do të mund të na lëndonte ne dhe civilët tanë” – shtoi ai.
Përderisa kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë e kanë vizituar Rripin e Gazës, kjo ishte hera e parë që presidenti Herzog shkoi në enklavë që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.
Përpos vizitës tek ushtarët, presidenti i pa nga afër edhe pikat e Fondacionit Humanitar të Gazës, i cili shpërndan ndihma në enklavë, mbështetet nga Izraeli dhe ShBA-ja, por ka nxitur edhe kundërthënie.
Herzogu i bëri komentet në kohën e kritikave nga udhëheqës botërorë, grupe humanitare dhe agjenci ndërkombëtare, të cilat e kanë akuzuar Izraelin se nuk po e lejon arritjen e ndihmave te popullsia e uritur e Gazës dhe për vrasjen e qindra njerëzve që kanë shkuar në qendrat e Fondacionit Humanitar të Gazës për të kërkuar ndihma. Një grup shtetesh gjithashtu kanë kërkuar që lufta të përfundojë menjëherë.
Presidenti tha në një deklaratë se u njoftua rreth “përpjekjeve të gjera për t’u siguruar që ndihma humanitare të arrijë te njerëzit e Gazës – pavarësisht nga rreziku, pavarësisht nga dhimbja e të diturit se pengjet tona ende mbahen në robëri brutale”.
“Edhe në mes të luftës, ne jemi duke bërë gjithçka që është e mundshme për t’i ndihmuar civilët në nevojë – duke e respektuar të drejtën ndërkombëtare, si dhe vlerat tona izraelite e hebraike” – shtoi ai./Nacionale