Prapaskenat e armëpushimit: Trumpi në bisedë me Netanyahun, ekipi i tij i lartë me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndërmjetësoi për marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit përmes bisedës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të hënën, ndërsa ekipi i tij, përfshirë nënpresidentin JD Vance, zhvilloi bisedime me Teheranin, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Ky zyrtar, duke ofruar hollësi të arritjes së armëpushimit në kushte anonimiteti, tha se Izraeli u pajtua me paktin, nëse Irani nuk do të kryente sulme të reja. Në anën tjetër, Irani sinjalizoi se nuk do të kryente më sulme të tjera, tha zyrtari amerikan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Nënpresidenti Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe emisari i posaçëm, Steve Witkoff, ishin të përfshirë në komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me Iranin, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi tha më herët të premten se një armëpushim “i plotë dhe total” mes Izraelit dhe Iranit do të hynte në fuqi orëve në vijim, disa momente pasi të dyja palët kishin kërcënuar me sulme të reja.

Irani hodhi raketa drejt një baze ajrore amerikane në Katar, duke mos shkaktuar viktima, pasi aeroplanët bombardues të ShBA-së hodhën bomba të rënda në qendrat nëntokësore bërthamore të Iranit në fundjavë.

Zyrtari amerikan tha se Trumpi kishte bërë thirrje për bisedime me Izraelin dhe Iranin pak kohë pas sulmeve amerikane.

“Ai e udhëzoi ekipin e tij të shtunën në mbrëmje: Ta rrokim telefonin… me iranianët. Ma thirrni Bibin (Netanyahun). Do të bëjmë paqe” – tha zyrtari amerikan, duke i cituar fjalët e Trumpit.

Ekipi i Trumpit kishte zhvilluar bisedime me Iranin në pesë raste të ndryshme në javët para konfliktit, por ato dështuan, kur Irani nuk u spraps nga kërkesa e vet për ta vazhduar pasurimin e uraniumit.

Trumpi tha të enjten se do të merrte një vendim për përdorimin e forcës “brenda dy javëve”, por të shtunën pasdite, ai urdhëroi që Shtetet e Bashkuara t’i sulmonin qendrat bërthamore të Iranit.

Nëse respektohet, armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit mund t’i qetësojë kritikat ndaj presidentit amerikan dhe mund ta rikthejë portretizimin që ai ia ka bërë vetes si paqebërës.

Armëpushimi erdhi pas një dite me bisedime që Trumpi i kishte zhvilluar në Zyrën Ovale. Ai foli drejtpërdrejt me Netanyahun, i cili e kishte mbështetur përfshirjen më të drejtpërdrejtë ushtarake të ShBA-së në konfliktin me Iranin.

Trumpi “ka shfaqur përmbajtje” dhe ka bërë të qartë se ishte duke u mbajtur interesat amerikane në qendër të qëllimit të tij, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here