Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Podujevë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, por kanë hasur në rezistencë nga burri i dyshuar.
Ky i fundit po dyshohet se ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, që po tentonin ta vënin nën kontroll.
Të njëjtat burime thonë se Policia është detyruar që të përdorë forcën proporcionale, në mënyrë që i dyshuari të prangoset dhe të shoqërohet në stacion policor.
Në anën tjetër, bashkë me fëmijën e saj kanë pranuar trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.