Po vjen ndryshimi drastik i motit, reshje bore dhe temperatura deri në -12°C

Edhe pak kohë kanë mbetur deri në ardhjen e frontit të ftohtë, e cila do të sjellë borën e parë për këtë sezonë, ndër reshjet më të hershme dhe më të shumta që po fillojnë krahas viteve të fundit.

Pra, sonte pas mesnatës (e shtunë) pritet të arrijë fronti i fuqishëm në Kosovë, fillimisht do të prekë pjesën veriore e më pas deri në orët e mëngjesit pritet të shtrihet deri në jug të vendit.

Pra, reshjet e fuqishme të shiut do të jenë që do t’i paraprijnë këtij fronti, ndërsa menjëherë me kalimin e frontit të ftohtë do të shndërrohen në reshje bore në pjesën dërrmuese të vendit, me përjashtim në disa zona të Rrafshit të Dukagjinit.

Në ndërkohë, një ciklon i fuqishëm nga Italia do të lëvizë shpejtë drejt vendit tonë, ku gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes do të sjellë reshje të dendura bore, më intensive parashihet të jenë në jug dhe juglindje të vendit.

Normalisht reshje të dendura apo të fuqishme do të ketë edhe në zona të tjera në intervale të caktuara, mirëpo më të vazhdueshme parashihen në zonat e lartcekura.

Sa i përket sasisë së borës, në zonat e ulëta parashihet të variojnë rreth 5 deri në 20 cm, ndërsa në zonat malore, sidomos në jug të vendit pritet të arrijë deri në gjysmë metër (50 cm).

Reshjet më të pakta do të jenë në Rrafshin e Dukagjinit për shkak të temperaturave më të larta dhe të cilat mund të përzihen fillimisht edhe me ato të shiut gjatë ditës.

Reshjet do të ndërpriten vonë në mbrëmje apo pas mesnate në pjesën më madhe të vendit, duke mbetur vetëm të izoluara në zona të caktuara.

Dita e dielë do të vazhdojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ndërsa në zona të caktuara priten reshje të izoluara bore. Do të jetë një ditë mjaft e ftohtë, me maksimale prej 0 deri në 3°C, ndërsa në mbrëmje pritet kthjellim i motit dhe ulje më e ndjeshme e temperaturave, deri në -7°C.

Të hënën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta por me acar të madh, sidomos në orët e mëngjesit, ku temperaturat pritet të ulen deri në -12°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 4°C.

Nga dita e martë parashihet një ngritje e lehtë e temperaturave dhe shtim i vranësirave, të cilat do të përcillen me reshje shiu e bore, përfshirë edhe ditën e mërkurë.

Për më shumë detaje sa i përket javës së ardhshme do t’iu informojmë të hënën. /MeteoKosova/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights