Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) kritikon planin amerikan për “paqe në Ukrainë”.
Plani i paraqitur nga qeveria amerikane për përfundimin e luftës në Ukrainë është një dështim që në fillim, shkruan FAZ. Për Ukrainën, disa pika të rëndësishme të planit janë të papranueshme – veçanërisht njohja e Krimesë si territor rus. Ndërkohë, regjimi në Moskë nuk ka asnjë arsye të bëjë ndonjë lëshim, pasi nuk rrezikon asgjë nëse refuzon. Trump as që po përpiqet të ushtrojë presion serioz ndaj Kremlinit. Ai mund ta bënte këtë, nëse do t’i tregonte mjetet që ka në dispozicion: më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe sanksione më të ashpra. Në vend të kësaj, qeveria amerikane tregohet e bindur paraprakisht, duke pranuar kërkesa thelbësore të Moskës pa kërkuar asnjë kundërshpërblim nga Putini.
Pse duhet që prijësi i luftës në Rusi të heqë dorë nga qëllimet e tij maksimale në këto rrethana?, pyet FAZ.
Paralajmërimi i Washingtonit se do të tërhiqet nga përpjekjet ndërmjetësuese nëse palët ndërluftuese nuk i pranojnë propozimet amerikane shkakton vetëm një buzëqeshje ironike në Moskë. Zëdhënësi i Putinit e komentoi këtë duke thënë se nuk sheh asnjë rrezik – dhe i quajti propozimet amerikane të pavlefshme, meqë çdo gjë që bëhet publike gjatë bisedimeve, sipas tij, bëhet menjëherë e paefektshme.
Edhe nëse Donald Trump heq vërtet dorë nga përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve, Moska nuk humb asgjë. Madje, edhe nëse nuk realizohet normalizimi i marrëdhënieve me Washingtonin, siç dëshiron Kremlini, Putini do të dilte më mirë se më parë. Sepse propozimet amerikane – që janë pothuajse tërësisht në dëm të Ukrainës – tregojnë qartë se Kievi e ka humbur aleatin e tij më të fuqishëm. Përçarjet brenda aleancës perëndimore do të thellohen edhe më shumë për shkak të këtyre zhvillimeve. Dhe – kjo gjithashtu është një fitore nga këndvështrimi i Putinit – Trump e minon autoritetin e Shteteve të Bashkuara duke treguar sa lehtë mund të manipulohet.