Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot punimet për ndërtimin e pishinës gjysmë olimpike në Deçan, një projekt me vlerë 2.07 milionë euro, i financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Ky projekt pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive të rajonit dhe është planifikuar për t’u përfunduar brenda 36 muajve.
Kompania e kontraktuar për realizimin e punimeve është Konsorciumi VB. TOFAJ, “NIVA Construction” SH.P.K dhe “HARST Group” SH.P.K, ndërsa pishina do të ketë dimensione 25m x 16m me 6 shirita notimi dhe një thellësi që shkon nga 1.45 m deri në 1.95 m. Sipërfaqja ndërtimore e projektit është 2512 m², e cila përfshin një bodrum prej 500 m², një perdhesë prej 1558 m² dhe 1100 m² hapësirë për pishinën. Pjesa tjetër do të përfshijë administratën, me zhveshtore, dushe dhe bar kafe mbi 458 m², si dhe një kat për fitness me 454 m².
Ky projekt shënon një hap përpara në zhvillimin e sportit dhe shëndetit për rininë e Deçanit, duke ofruar mundësi për të rinjtë të krijojnë lidhje me aktivitete shëndetësore dhe për të zhvilluar talentet e tyre sportive. Kurti shprehu optimizëm për përfundimin e suksesshëm të punimeve dhe ndikimin pozitiv që do të ketë kjo pishinë për komunitetin, duke u zotuar se do të përkrahë edhe projekte të tjera kapitale për komunën e Deçanit.
Video KETU