Përurohet baza ajrore e NATO-s në Shqipëri

Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përurua baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se baza në Kuçovë do të jetë një pikë strategjike në mbrojtjen e paqes dhe operacioneve të NATO-s.

“Gjithçka pritet nga fronti i lindjes. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha Peleshi.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë, shtetit anëtar të NATO-s, që të vë në dispozicion të aleancës ushtarake perëndimore edhe portin në Durrës, Porto Romano, që siç tha Peleshi, së bashku me “Korridorin 8”, që lidh Shqipërinë përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhore me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, i siguron aleancës aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Detit Adriatik në Detin e Zi.

Punimet për rikonstruksionin e bazës në Kuçovë nisën në janar të vitit 2022.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeostrategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të aleancës, ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë dhe ata të institucioneve shqiptare.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, theksoi se kjo bazë është një element tjetër i sigurisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor ” i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

“Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, theksoi Rama.

Ai tha se po punohet me aleancën që sa më shpejt të bëhet gati edhe baza e re detare e NATO-s në Porto Romano.

Ndërkaq, sipas presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në situatën globale, që ai tha se është e paqëndrueshme, vendi duhet të jetë i gatshëm të mbrojë veten dhe të kontribuojë për aleancën.

“Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”, tha presidenti Begaj.

Përfaqësuesi i NATO-s, gjenerali Juan Pablo Sanchez De Lara, gjatë ceremonisë tha se Shqipëria është më e gatshme se kurrë që të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, David Wisner, ndërkaq e konsideroi bazën në Kuçovë “arritje të madhe për sigurinë e rajonit”.

Përurimin e kësaj baze e mirëpriti edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se kjo bazë e NATO-s do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950.

Pak ditë para inaugurimit, në këtë bazë u dërguan edhe tre dronët Bayraktar, që Shqipëria ka blerë nga Turqia.

Në fund të ceremonisë, dy helikopterët Black Hawk, dronët Bayraktar dhe gjashtë avionët Eurofighter F-2000 fluturuan mbi qiellin e Kuçovës.

Hapësira ajrore e Shqipërisë, që kufizohet me Greqinë në jug dhe Malin e Zi në veri, mbrohet nga Italia dhe Greqia.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here