Akulloret, ëmbëlsirat e ngrira dhe pijet super të ftohta bëhen më tërheqëse gjatë vapës së verës. Por me ndryshimet klimatike që po sjellin temperatura gjithnjë e më të larta, njerëzit po konsumojnë më shumë prej tyre, përcjell A2 CNN. Një studim i ri tregon se kjo sjellje ka pasoja shqetësuese për shëndetin.
Pan He, lektore në Universitetin e Kardifit dhe një nga autorët e studimit, thekson se është e qartë që ndryshimet klimatike do të ndikojnë në furnizimin dhe cilësinë e ushqimit, duke shkaktuar mungesa, rritje çmimesh dhe madje ulje të vlerës ushqyese. Por më pak është ditur deri tani se si këto ndryshime ndikojnë mbi zakonet tona të përditshme ushqimore.
Studiuesit analizuan të dhënat e blerjeve ushqimore të familjeve amerikane në periudhën 2004–2019 dhe i krahasuan ato me të dhënat e motit sipas rajoneve. Rezultatet treguan se sa më shumë rriteshin temperaturat, aq më i madh bëhej konsumimi i sheqerit, sidomos në formën e pijeve të ëmbëlsuara si lëngjet dhe pijet e gazuara.
Sipas studimit të publikuar në revistën Nature Climate Change, për çdo rritje me 1 gradë Celsius, konsumi i sheqerit shtohej me rreth 0,7 gram për person në ditë. Efekti ishte më i fortë kur temperaturat arrinin mes 20 dhe 30 gradëve Celsius.
Kërkesa për hidratim dhe freskim bën që shumë njerëz në SHBA t’i drejtohen produkteve të ëmbla e të ftohta. Fenomeni është edhe më i theksuar te familjet me të ardhura apo arsim më të ulët, të cilat jo vetëm kanë konsum më të lartë të sheqerit për arsye ekonomike, por kalojnë edhe më pak kohë në ambiente me ajër të kondicionuar.
Studiuesit parashikojnë se, nëse ndotja vazhdon pa kontroll, deri në vitin 2095 konsumimi ditor i sheqerit mund të rritet me gati 3 gram për person, duke vënë më shumë në rrezik grupet më të ndjeshme. Pasojat shëndetësore janë serioze: rritje e rrezikut për obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që sheqeri i shtuar të mos kalojë 6% të kalorive ditore, jo më shumë se 36 gram për burrat dhe 26 gram për gratë.