‘Pasaportat e arta’, Gjykata e Lartë e BE rrëzon modelin që tentoi të aplikojë Edi Rama

Në të njëjtën kohë që Komisioni Europian kundërshtonte skemën e Maltës, Edi Rama nisi të lançojë në Tiranë pikërisht një skemë të ngjashme, duke ofruar ‘pasaportat e arta’ shqiptare për personat që do të investonin miliona euro në projekte të ndryshme në Shqipëri.

Një vendim i Gjykatës më të lartë Europiane ka rrëzuar modelin e pasaportave të arta, që u lejon njerëzve të blenë shtetësinë, përmes investimeve miliona euro.

Vendimi i Gjykatës ka rrëzuar në fakt programin kontrovers të “pasaportës së artë” të Maltës, ndërsa ky qëndrim konsiderohet historik.
Një model të ngjashëm si Malta, tentoi ta implementojë edhe Kryeministri Edi Rama, por pas presioneve ndërkombëtare u tërhoq nga ideja, duke thënë se do të priste njëherë një qartësim në nivel europian.

Gjykata më e lartë e Europës u vu në lëvizje nga Komisioni Evropian, i cili ndërmori veprime ligjore kundër Maltës në vitin 2022 për skemën e saj që u jepte të huajve një pasaportë malteze — dhe për rrjedhojë të Bashkimit Evropian — në këmbim të një investimi të vetëm prej të paktën 600,000 eurosh dhe qëndrimit në Maltë.

Në të njëjtën kohë që Komisioni Europian kundërshtonte skemën e Maltës, Edi Rama nisi të lançojë në Tiranë pikërisht një skemë të ngjashme, duke ofruar ‘pasaportat e arta’ shqiptare për personat që do të investonin miliona euro në projekte të ndryshme në Shqipëri.

Në atë kohë, Komisioni Europian u investua fuqishëm kundër planit të Ramës, madje nga Tirana, Joseph Borrell që mbante detyrën e kreut të diplomacisë europiane, paralajmëronte në 2023 se “skema të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat [për anëtarësim në BE], Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”.

Pas presioneve, Edi Rama pezulloi nismën, ndërsa u shpreh se ajo nuk do të nxirrej më mbi tavolinë derisa të shprehej Gjykata e lartë Europiane. Sot kjo gjykatë foli, duke rrëzuar kështu një tentativë edhe të Edi Ramës për të aplikuar skemën e ‘pasaportave të arta’, ide e hedhur fillimisht në 2019 dhe më pas e mbajtur, ndoshta si kartë presioni ndaj BE, deri në 2023-in.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian tha të martën se programi nuk ishte gjë tjetër veçse “komercializim” i shtetësisë, shkelte “besimin e mirë” dhe “besimin e ndërsjellë” midis vendeve anëtare të BE-së, si dhe “shkelte ligjin e BE-së”.

Ndërsa Malta e pezulloi skemën për qytetarët rusë dhe bjellorusë pas pushtimit të Ukrainës, përfituesit para se ndalimi të hynte në fuqi përfshinin biznesmenë rusë të sanksionuar, sipas raporteve të medias.
Qeveria e Maltës tha se do të zbatonte vendimin e së martës dhe do të përditësonte ligjet e saj në përputhje me rrethanat, sipas mediave lokale.

“Si gjithmonë, qeveria e Maltës respekton vendimet e gjykatave”, tha qeveria në një deklaratë.

“Në këtë moment, implikimet ligjore të këtij vendimi po studiohen në detaje, në mënyrë që kuadri rregullator mbi shtetësinë të mund të harmonizohet me parimet e përcaktuara në vendim”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Maltës.

Qeveria malteze shtoi se përfituesit e mëparshëm të skemës nuk do të preken dhe tha se skema kishte mbledhur qindra miliona euro.

Një zëdhënës i Komisionit e përshëndeti vendimin. “Shtetësia evropiane nuk është në shitje”, tha zëdhënësi të martën.

Zëdhënësi bëri thirrje gjithashtu që të gjitha skemat e ngjashme në bllok të shfuqizohen. Qiproja dhe Bullgaria kanë ndaluar programet e tyre të pasaportave të arta.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here