Shtetet e Bashkuara janë duke i shtyrë Kongon dhe Ruandën që të nënshkruajnë një pakt të paqes në Shtëpinë e Bardhë brenda rreth dy muajve, të shoqëruar me marrëveshje dypalëshe për minerale që do të sillnin miliarda dollarë investime perëndimore në rajon, i tha të enjten agjencisë së lajmeve “Reuters” këshilltari i lartë i presidentit Donald Trump për Afrikën, Massad Boulos.
“Kur ta nënshkruajmë marrëveshjen e paqes… marrëveshja për minerale me DRC-në (Republikën Demokratike të Kongos) do të nënshkruhet atë ditë, pastaj një pako e ngjashme, por me madhësi tjetër, do të nënshkruhet atë ditë me Ruandën” – tha Boulos-i në një intervistë të realizuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një pakt i paqes i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara do të vinte në kohën e avancimit të pashembullt të rebelëve të grupit M23 në Kongo, të cilët përkrahen nga Ruanda. Ky është cikli më i ri i dhunës në një konflikt të gjatë me dekada, në një rajon të pasur me minerale, përfshirë tantalin dhe arin. Ruanda mohon se e mbështet grupin M23.
Ruanda dhe Kongoja pritet që të paraqesin drafte të ndara për marrëveshjen e paqes të premten, sipas një procesi të paqes për të cilin u arrit pajtueshmëri në Uashington javën e kaluar si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund dhunës në pjesën lindore të Kongos, transmeton gazeta “Nacionale”.
Qeveria e Kongos nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.
Në mesin e majit, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet në Uashington me minsitrat e jashtëm të Kongos dhe Ruandës në përpjekje për t’u pajtuar për draftin përfundimtar të paktit të paqes, tha këshilltari Boulos.
Megjithatë, para se pakti të mund të nënshkruhet, ai theksoi se Ruanda dhe Kongoja së pari duhet t’i finalizojnë marrëveshjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara, sipas së cilave kompani amerikane e perëndimore do të investojnë miliarda dollar në minierat kongoleze dhe në projekte të infrastrukturës për mbështetjen e mihjes në të dyja vendet, përfshirë procesimin e mineraleve në Ruandë.
“(Marrëveshja) me DRC-në (Republikën Demokratike të Kongos) është në një shkallë shumë më të lartë, sepse është shtet shumë më i madh dhe ka shumë më shumë burime, por Ruanda gjithashtu ka shumë burime dhe kapacitete e potencial në fushën e mihjes… jo vetëm pjesa e sipërme, por gjithashtu pjesa e mesme dhe e poshtme deri te procesimi, rafinimi dhe tregtimi” – tha këshilltari i lartë i Trumpit.
Më tej, Boulos-i shtoi se kompanitë perëndimore i kanë thënë Uashingtonit se ato do të bënin investime multimiliardëshe në rajon porsa të nënshkruhen marrëveshjet dypalëshe për minerale.
Boulos-i tha gjithashtu se para se të mund të realizohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara presin që të dyja vendet të adresojnë një numër të çështjeve të sigurisë. Për shembull, Ruanda duhet t’i tërheqë trupat e saj nga Kongoja dhe t’i japë fund mbështetjes për rebelët e grupit M23. Kongoja, në anën tjetër, duhet t’i adresojë shqetësimet e sigurisë të Ruandës në lidhje me grupet militante si Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës.
Sipas këshilltarit të Trumpit, një komitet pasues u emërua të premten për ta vëzhguar progresin e këtyre dy shteteve drejt marrëveshjes së paqes. Në këtë komitet përfshihen Shtetet e Bashkuara, Franca, Katari dhe Togoja, ky u fundit si përfaqësues i Unionit Afrikan./Nacionale