Një fluturim i United Airlines u devijua për në Salt Lake City javën e kaluar pasi një objekt misterioz goditi xhamin e përparmë të aeroplanit në 36,000 metra lartësi, duke shkaktuar çarjen e tij dhe duke plagosur pilotin, sipas linjës ajrore dhe zyrtarëve.
Të dhënat nga faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flight Radar24 tregojnë se avioni ishte në 36,000 metra lartësi kur një objekt goditi xhamin e përparmë.
Fluturimi më pas zbriti në një lartësi më të ulët, duke ndjekur protokollin standard, përpara se të bënte një ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Salt Lake City në Utah.
“Kjo është një situatë e jashtëzakonshme për sa i përket aftësisë së xhamit për të shkaktuar ndonjë dëmtim tek njerëzit në kabinën e pilotit dhe për atë që mund të ketë goditur në 36,000 metra.
Ky është vërtet enigma e madhe”, tha analisti i aviacionit i ABC News, John Nance ndërsa xhami i përparmë u transportua në laboratorin e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, ndërsa po hetohet se çfarë e shkaktoi çarjen e tij.
Xhamat e përparmë të avionëve janë të projektuar me shtresa të shumëfishta për të qenë në gjendje t’i rezistojnë dëmtimeve të shkaktuara nga goditja e një zogu, moti apo mbeturinat, por ekspertët thonë se është e rrallë që një zog të ndodhet në atë lartësi.
“Po flet për një zog në atë lartësi. Është shumë, shumë e rrallë, për të mos thënë më shumë, po flet ndoshta për një dron, një tullumbace meteorologjike, çdo gjë të asaj natyre që ka masë të mjaftueshme për të shkaktuar këtë lloj shkatërrimi”, tha Nance.
Heather Ramsey, një studente kolegji dhe pasagjere në bord, tha se vuri re për herë të parë diçka të çuditshme rreth 50 minutave pas nisjes, madje edhe para çdo njoftimi, kur dëgjoi njërën nga asistentet e fluturimit duke ngritur zërin ashpër dhe duke i thënë tjetrës të ndalonte shërbimin dhe të shkonte në pjesën e pasme të kabinës.
Menjëherë pas kësaj, Ramsey tha se piloti bëri një njoftim për devijimin e fluturimit.
“Avioni është përplasur me një objekt dhe një dritare në kabinën e pilotit është thyer, kështu që na duhet të bëjmë një ulje emergjente në Salt Lake City”, tha Ramsey për ABC News, duke kujtuar mesazhin e pilotit.
United Airlines tha se Boeing 737 MAX 8 me 134 pasagjerë u ul në mënyrë të sigurt në Utah “për të trajtuar dëmtimet në xhamin e përparmë shumështresor”. Zyrtarët thanë se piloti u trajtua për lëndime të lehta.
Imazhet e xhamit të përparmë të çarë u shpërndanë për herë të parë në rrjetet sociale nga llogaria e aviacionit JonNYC.
Kompania ajrore tha se pasagjerët u akomoduan në një avion tjetër për në Los Angeles më vonë atë ditë dhe United po punon me ekipin e saj për ta rikthyer aeroplanin në shërbim.