Të martën, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të organizohet protestë në mbrojtje të grave pas rastit të fundit të vrasjes së Liridona Murselit, ngjarje që dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestën, të cilën po e quajnë “gjithëpopullore”.
“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kjo organizatë ka njoftuar se do të organizojë një aksion simbolik të dielën pranë Pallatit të Drejtësisë, ku pritet të mbahen seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit.