Njëzet e gjashtë anëtarë të parlamentit britanik kanë kërkuar një ndryshim domethënës në qasjen e politikës së jashtme ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj.
“Sot i kam shkruar një letër ministrit të Jashtëm, me kërkesë të një ndryshimi domethënës në qasjen tonë ndaj politikës së jashtme ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së presidentit serb Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë, më 9 maj. Letra është nënshkruar edhe nga 25 deputetë të tjerë”, ka publikuar në rrjetin X anëtarja e parlamentit britanik, Emma Lewell.
Në letër, ndër të tjera, thuhet se Serbia nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit ka forcuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht krimeve të tmerrshme që janë kryer kundër Ukrainës.
Thuhet se Serbia është i vetmi shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.“Për më tepër, presidenti Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe më gjerë rajonin e Ballkanit, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit”, thuhet, ndër të tjera, në letrën e deputetëve drejtuar ministrit britanik të Jashtëm.
Ata theksojnë se gjatë sundimit të Vuçiqit, Serbia ka përjetuar një regres të ndjeshëm demokratik, me sulme të vazhdueshme ndaj mediave, opozitës politike dhe shoqërisë civile, si dhe me korrupsion të përhapur, i cili ka kontribuar në protestat masive kundër qeverisë së tij muajt e fundit.
Ata shtojnë se qeveritë britanike vazhdimisht kanë mbështetur integrimin evroatlantik të Serbisë, duke shpresuar se kjo do të çonte në liri, prosperitet ekonomik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe se do ta largonte Serbinë nga Rusia e Putinit.
“Edhe pse dikur ky ka qenë një qëllim i lavdërueshëm, ngjarjet e 9 majit, një herë e përgjithmonë, tregojnë se qeveria e Vuçiqit nuk ka interes që të ndërpresë lidhjet me Rusinë, ndërsa aktivisht promovon ideologjinë ultranacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë së Madhe, gjë që rrezikon të sjellë përsëri Ballkanin në një konflikt të përgjakshëm”, shtohet në letër.
Për këtë arsye parlamentarët kërkojnë nga qeveria ndryshimin e kursit, duke nisur me një seri sanksionesh të synuara ndaj Aleksandar Vuçiqit, qeverisë së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, dhe përdorimin e të gjitha mjeteve diplomatike të nevojshme për të inkurajuar aleatët tanë që të ndjekin këtë shembull”.
“Po të mos dërgojmë një mesazh të fuqishëm tani për qeverinë e Serbisë, rrezikojmë forcimin e vendosmërisë së regjimit të Vuçiqit dhe dështimin për të parandaluar rënien e situatës së brishtë të sigurisë në Ballkan”, kanë shkruar deputetët në kërkesën drejtuar ministrit britanik të Jashtëm.
Ata gjithashtu e theksojnë mbështetjen për studentët që protestojnë në Serbi dhe qytetarët që kërkojnë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre, të lirë nga autoritarizmi dhe korrupsioni.