‘Ngrohtësi në gotë, mizori në histori’/ Aroma e vjeshtës që fsheh një të kaluar të përgjakshme

Një nga shijet më të njohura të vjeshtës në SHBA, “pumpkin spice”, e lidhur me nostalgjinë e kanellës dhe arrëmyshkut, ka një histori shumë më të errët sesa sugjeron populariteti i saj.

Ndërsa amerikanët shpenzojnë mbi 500 milionë dollarë në vit për produkte me këtë aromë dhe tregu pritet të dyfishohet deri në vitin 2035, origjina e këtij përzierjeje të famshme lidhet ngushtë me kolonializmin dhe shfrytëzimin brutal.

Një erëz që nisi në kuzhinat aziatike

Kombinimi i arrëmyshkut, xhenxhefilit, kanellës dhe karafilit, sot i njohur si “pumpkin spice”, vjen nga rajonet e Azisë, ku këto erëza kultivoheshin prej shekujsh. Sipas historianëve, kërkesa evropiane për këto erëza çoi në mizori të rënda koloniale.

Në vitin 1621, holandezët masakruan banorët e Ishujve Banda në Indonezi për të marrë kontrollin e tregtisë së arrëmyshkut, ndërsa në Sri Lanka, Portugalia, Holanda dhe Britania përdorën dhunë sistematike për të shfrytëzuar prodhimin e kanellës. Në Karaibe, zhardhokët e xhenxhefilit u kultivuan në plantacione me punë skllevërish.

Nga kolonializmi në traditë amerikane

Erëzat e shtrenjta u bënë pjesë e festave dhe recetave evropiane, duke kaluar më pas në kuzhinën amerikane përmes kolonëve. Në SHBA, ato u lidhën fort me gatimet e sezonit, veçanërisht me festën e Falënderimeve. Në vitin 1796, libri i parë i kuzhinës amerikane listonte erëzat si përbërës kryesorë të “pumpkin pie”.

Industria ushqimore i përhapi edhe më shumë, duke shitur përzierje të gatshme që në fund të shekullit XIX, duke shndërruar aromën në simbol të traditave familjare të vjeshtës.

Starbucks dhe shndërrimi në fenomen kombëtar

Në vitin 2003, Starbucks prezantoi “Pumpkin Spice Latte” (PSL), pija që do të niste një mani kombëtare. Marketerët shpjegojnë se aroma u lidh me ndjesi ngrohtësie, kujtime familjare dhe atmosferë festash – duke krijuar një ndikim emocional që e bëri të parezistueshme.

Që nga ajo kohë, PSL është bërë produkt sezonal i pothuajse çdo zinxhiri të madh, nga McDonald’s te Dunkin’. Starbucks e ka publikuar çdo vit gjithnjë e më herët, ndërsa në 2025-shin, pija është lancuar më 26 gusht, duke sjellë një rritje të menjëhershme prej 27% të vizitave në dyqane.

Kritika, kultura “basic” dhe lëvizja #decolonizepumpkinspice

Pavarësisht suksesit, fenomeni ka marrë kritika. Disa e shohin si simbol të kulturës “basic”, ndërsa lëvizja #decolonizepumpkinspice, e cila nisi në 2015, kërkon të rikujtojë dhunën dhe shfrytëzimin kolonial të lidhur me origjinën e erëzave.

Ekspertët vërejnë se, megjithëse ndërgjegjësimi është rritur, mania për pumpkin spice mbetet e pandalshme.

Nga SHBA në mbarë botën

Sot, përzierja aromatike është bërë pjesë e një tregu global, nga pijet e kompanive aziatike te çokollatat indiane. Në Amerikë, ajo shitet në produktet më të papritura, nga kremrat e djathit te qeset e plehrave apo edhe rëra për macet.

Sipas analistëve të industrisë ushqimore, pumpkin spice është shndërruar në “një pjesë të pandashme të kulturës së ngrohtësisë” amerikane, një aromë që lidhet me ndjesinë e ritit, nostalgjisë dhe stabilitetit emocional të stinës së vjeshtës.

Ndaj, pavarësisht historisë së errët që mban pas, kjo aromë mbetet një simbol i thellë kulturor i SHBA-së, një përzierje që sot tregon më shumë për emocionet e amerikanëve sesa për vetë kungullin.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME