Ngjarja tronditëse e raportuar si dhunim dhe grabitje në Gjilan, doli të jetë inskenim

Një ngjarje tronditëse e raportuar në media si dhunim dhe grabitje në Gjilan ka rezultuar të jetë një inskenim. Prokuroria Themelore në Gjilan e ka konfirmuar për ATV-në se incidenti që përfshinte një grua dhe djalin e saj ishte i rremë.

Ngjarja fillimisht u raportua se kishte ndodhur natën mes të premtes dhe të shtunës, kur dy persona të maskuar supozohet se kishin sulmuar gruan dhe djalin e saj, duke kryer tri vepra penale: dhunim, grabitje dhe lëndim trupor. Sipas raportit fillestar, të maskuarit i kishin marrë viktimës stoli ari dhe një shumë parash.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘’Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, i tha Prokuroria ATV-së.

Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale.

Ditën e raportimit, një qytetar tha se në 50 vitet që jeton në atë lagje, nuk kishte dëgjuar kurrë për raste të tilla.

Po ashtu, edhe drejtori i spitalit rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, kishte raportuar për plagët fizike dhe gjendjen e rëndë emocionale të viktimave. Gruaja kishte shenja gjakderdhjeje dhe gërvishtje në kofshë, ndërsa djali kishte marrë trajtim mjekësor për gërvishtje dhe hematoma.

Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi motivet pas inskenimit dhe do të vijojë të hetohet më tej nga autoritetet përkatëse. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here