Nga biskotat te kaçkavalli industrial: Si ndikon vaji i palmës në përhapjen e shpejtë të kancerit

Një studim i botuar në revistën prestigjoze Nature ka zbuluar se acidi palmitik—një yndyrë e ngopur që gjendet me shumicë te vaji i palmës dhe ushqimet e ultra-procesuara—riprogramon qelizat tumorale duke i bërë ato jashtëzakonisht agresive dhe të afta për të shkaktuar metastaza. Zbulimi i madh i udhëhequr nga Instituti për Kërkime Biomjekësore (IRB Barcelona) dëshmon se kjo yndyrë le një “kujtesë të përhershme” në qelizat e kancerit, duke bërë që ato të mbeten metastatike edhe pasi vaji i palmës hiqet nga dieta.
​Eksperimenti i udhëhequr nga profesori Salvador Aznar-Benitah u krye mbi modele laboratorike me melanoma dhe karcinomë orale, ku u vërejt se ekspozimi ndaj acidit palmitik nuk shkakton mutacione në strukturën e ADN-së, por kryen një riprogramim epigjenetik.

Kjo do të thotë se ndryshon struktura e kromatinës dhe modifikohen histonet, duke lënë një gjurmë të përhershme që detyron gjenet e metastazës të qëndrojnë të ndezura për një kohë të gjatë. Në qendër të këtij procesi është një receptor i quajtur CD36, i cili ndodhet në sipërfaqen e qelizave tumorale dhe shërben si “portë hyrëse” për acidin palmitik. Kur ky receptor aktivizohet nga vaji i palmës, qelizat tumorale jo vetëm që bëhen më lëvizëse, por fillojnë të stimulojnë qelizat regenerative “Schwann”, duke ndërtuar një rrjet nervor rreth tumorit që e ndihmon atë të ushqehet dhe të përhapet me shpejtësi në organet e tjera.

​Aspekti më alarmant i zbulimit është se kjo sjellje agresive trashëgohet gjatë ndarjes qelizore. Kur qelizat e ekspozuara ndaj vajit të palmës u transplantuan te subjektet me dietë normale, ato vazhduan të përhapeshin me të njëjtën egërsi, pasi çdo qelizë “bijë” mbante mend programin agresiv të qelizës mëmë. Për të kuptuar nëse ky ishte një efekt i përgjithshëm, shkencëtarët testuan edhe acidin oleik që gjendet te vaji i ullirit dhe acidin linoleik që gjendet te vaji i lulediellit. Rezultatet treguan se vaji i ullirit dhe vaji i lulediellit nuk shkaktuan asnjë rritje të metastazave dhe nuk lanë asnjë gjurmë epigjenetike në qeliza, duke konfirmuar se rreziku është specifik për acidin palmitik.

​Autorët e studimit bëjnë thirrje për një lexim realist të këtyre të dhënave në raport me shëndetin e njerëzve, duke theksuar se kërkimet janë kryer ende në nivel laboratorik dhe shtazor. Trupi i njeriut është më kompleks, ndaj nuk mund të thuhet se një konsum i izoluar apo i rrallë i një biskote shkakton kancer.

Rreziku i vërtetë vjen nga ekspozimi kronik, domethënë nga konsumi sistematik dhe i përditshëm i ushqimeve industriale të gatshme dhe snack-eve që përmbajnë sasi të mëdha të vajit të palmës. Ndikimi më kritik vlen për pacientët onkologjikë ekzistues, ku një dietë e tillë mund të funksionojë si karburant permanent për përhapjen e sëmundjes.

​Meqenëse metastazat janë shkaku kryesor i vdekshmërisë nga kanceri, duke llogaritur rreth 90% të rasteve, ky zbulim ka hapur rrugën për një shpresë të re terapeutike. Ekipi kërkimor, i mbështetur edhe nga fondacionet ndërkombëtare si Worldwide Cancer Research, ka nisur punën për zhvillimin e antitupave që bllokojnë specifikisht receptorin CD36 ose ndryshimet epigjenetike që shkakton acidi palmitik.

Nëse këto medikamente rezultojnë të suksesshme në fazat e ardhshme klinike, ato mund të parandalojnë përhapjen e kancerit te pacientët me tumore agresive, duke i kthyer qelizat metastatike sërish në një gjendje të trajtueshme./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME