Obelisku “Newborn” në Prishtinë ka ndryshuar përkohësisht pamje, duke u ngjyrosur kuq e zi dhe duke marrë simbolikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Fotografitë e ndërhyrjes janë publikuar nga organizata “Liria ka Emër”, e cila ka bërë të ditur se ky intervenim është realizuar në nderim të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Në njoftimin e saj, organizata e ka lidhur këtë veprim me muajin nëntor, duke përmendur daljen e parë publike të UÇK-së, figurën e Adem Jasharit dhe shqiptarët, si dhe duke rikujtuar krerët e UÇK-së që vazhdojnë të mbahen në Hagë.
“Liria ka Emër” ka theksuar se ndërhyrja në obelisk është e përkohshme dhe synon të shprehë respektin për sakrificën për Kosovën, si dhe për kujtesën kolektive, historinë dhe UÇK-në.
Sipas organizatës, ky veprim përfaqëson edhe lidhjen e gjeneratës së pasluftës me historinë dhe përgjegjësinë për ruajtjen e kujtesës historike.
