New York njeh zyrtarisht 28 Nëntorin, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë futet në kalendarin e qytetit amerikan

28 Nëntori do të përkujtohet zyrtarisht edhe në New York. Këshilli i Qytetit ka miratuar një rezolutë përmes së cilës njeh Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar njëkohësisht historinë dhe kontributin e komunitetit shqiptar në metropolin amerikan.

Vendimi është miratuar më 19 nëntor 2026, me iniciativën e këshilltares Amanda C. Farías. Propozimi u mbështet edhe nga tre anëtarë të tjerë të Këshillit të Qytetit, Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.

Përmes kësaj rezolute, autoritetet e New York-ut nderojnë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, por edhe rolin që shqiptarët e Amerikës kanë luajtur në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të qytetit.

Komuniteti shqiptar në New York ka një histori që nis që prej fillimit të viteve 1920, kur emigrantët e parë u vendosën në këtë qytet. Me kalimin e dekadave, prania e tyre është zgjeruar ndjeshëm.

Sipas vlerësimeve të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, më shumë se 100 mijë persona me origjinë shqiptare jetojnë sot në pesë distriktet e New York-ut. Përqendrimi më i madh i komunitetit është në Bronx dhe Staten Island.

Rezoluta rikthen në vëmendje edhe historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria mori mbështetjen e presidentit amerikan Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes në Paris, pas Luftës së Parë Botërore.

Më pas, në korrik të vitit 1922, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.

Njohja e 28 Nëntorit nga Këshilli i Qytetit të New York-ut vjen në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i dhënë kësaj date një tjetër dimension simbolik për mijëra shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME