Netanyahu thotë se partitë arabe e synojnë shkatërrimin e Izraelit, kërkon qeveri uniteti

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, edhe një herë ka bërë thirrje për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar në fjalimin që e mbajti para përbërjes së re të Kuvendit, ndërkohë sulmoi ashpër partitë arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, duke i akuzuar se e synojnë shkatërrimin e Izraelit.

Netanyahu i paralajmëroi rivalët politikë që të mos mbështeten në përkrahjen e këtyre partive për formimin e qeverisë së re, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Pasi e humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar dhe pasi presidenti Isaac Herzog ia dha kryetarit të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, mandatin për formimin e qeverisë së re, Netanyahu e ka vazhduar fushatën që e ndoqi gjatë periudhës së zgjedhjeve për delegjitimimin e partive arabe dhe për t’i portretizuar ato si përkrahëse të terrorizmit, në atë që duket si përpjekje për ta minuar aftësinë e Eisenkotit dhe aleatëve të tij që ta formojnë qeverinë me mbështetjen e partive arabe.

“Irani është duke punuar për ta ringjallur kërcënimin bërthamor. Mënyra e vetme për ta eliminuar në mënyrë të përhershme këtë rrezik ekzistencial është duke e rrëzuar regjimin e ajatollahëve” – tha Netanyahu në fjalimin që e mbajti pas betimit të deputetëve të rinj në Knesset.“Përballë këtyre rreziqeve, ne duhet të bëjmë një gjë në këtë sallë: ta lëmë anash secilin element tjetër dhe të themelojmë një qeveri të unitetit kombëtar” – vazhdoi ai.

Megjithatë, Netanyahu më pas i akuzoi kundërshtarët se po e shqyrtojnë formimin e një koalicioni me përkrahjen e deputetëve arabë, të cilët ai i cilëson si “mbështetës të terrorizmit që e urrejnë Izraelin”.

“A jeni të përgatitur për t’u varur nga njerëzit, qëllimi i të cilëve është shkatërrimi i shtetit hebraik? A janë këta njerëzit, në duart e të cilëve ju do ta besonit fatin e vendit tonë? A i parapëlqeni ata para partive zioniste që përfaqësojnë një publik shumë të madh zionist? Një publik ushtarësh, heronjsh, veteranësh të plagosur të ushtrisë izraelite dhe familjeve që janë në zi” – pyeti kryeministri në largim.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME