Në luftë me urinë, Franca ngjall shkëndijën e shpresës për Gazën

Franca ka realizuar këtë të premte, 1 gusht, operacionin e saj të parë të hedhjes ajrore të ndihmave ushqimore në Rripin e Gazës, në përpjekje për të përballuar krizën humanitare që sipas Kombeve të Bashkuara po shkon drejt një urie masive.

“Në kushtet e një urgjence të jashtëzakonshme, sapo kemi realizuar një operacion hedhjeje ajrore të ndihmave në Gaza. Falënderime partnerëve tanë jordanezë, emiratas dhe gjermanë për mbështetjen, si dhe ushtarakëve tanë për angazhimin”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në rrjetin X. Ai shtoi se “hedhjet ajrore nuk mjaftojnë. Izraeli duhet të hapë plotësisht qasjen humanitare për të shmangur rrezikun e urisë”.

Sipas një deklarate të përbashkët të Ministrive të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Francës, ndihmat janë paketuar në pako të pajisura me parashuta dhe përfshijnë disa tonë ushqime, të shpërndara në disa fluturime ajrore gjatë disa ditëve.

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Nowl Barrot, deklaroi më herët të premten për franceinfo se “katër fluturime, secili me nga 10 tonë ndihma humanitare, janë nisur nga Jordania drejt Gazës”.

Pas afro dy vitesh lufte të përgjakshme, e nisur nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, Gaza është përballur me bllokadë të rreptë dhe mungesë të thellë ushqimesh, barnash dhe mallrash të tjera bazë. Izraeli ka lehtësuar pjesërisht bllokadën në fund të majit, por sasia e ndihmave që lejohet të hyjë në territor mbetet e pamjaftueshme, sipas organizatave ndërkombëtare humanitare.

Aktualisht, ndihma po kalon kryesisht përmes Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF), një strukturë e mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, por e bojkotuar nga pjesa më e madhe e organizatave humanitare për mungesë transparence dhe pavarësie.

Përveç Francës, edhe vende të tjera si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar janë bashkuar me disa shtete të Lindjes së Mesme për të dërguar ndihma ajrore. Megjithatë, autoritetet franceze theksojnë se “këto operacione nuk mund të zëvendësojnë domosdoshmërinë për rritje të ndjeshme të ndihmave, e cila kërkon hapjen e menjëhershme të kalimeve tokësore nga Izraeli”.

Në të njëjtën kohë, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, ndodhet këtë të premte në Gaza për të vlerësuar gjendjen e ndihmës humanitare, në një kohë kur presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lehtësuar krizën po shtohet gjithnjë e më shumë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here