Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se LDK-ja me propozimin e saj po sillet si në kohën e UNMIK-ut.
Sipas tij, opozita ka mbetur pa një zgjidhje tjetër dhe propozimin për një qeveri tranzicionale e ka nxjerrë si kartën e fundit.
“Refuzojnë ftesat për bashkëpunim, refuzojnë zgjidhjen me votim të fshehtë, e akuzojnë Vetëvendosjen për bllokim. Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos hipokrizi. Deri më tani as nuk është vënë në testim votimi i fshehtë. Tani kur ka filluar që pagat të rrjedhin nuk po ju bëhet dert. Përgjigjja u dha një ditë me herët nga një zëdhënës, një ditë me pas u zyrtarizua nga Kryesia, vendimmarrja në këtë rast është zhvendosur nga kryesia e organet në një vend tjetër. Përgjigja e tillë neve na befasoi. Tani e kanë nxjerrë edhe kartën e fundit si në kohën e UNMIK-ut. Kjo nuk është serioze”, tha Murati.