Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vlera e tokave në komunë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, me disa zona ku një ari tokë kushton deri në 22 mijë euro.
Ai tha se rritja e vlerës së tokës ka ardhur si rezultat i projekteve zhvillimore dhe investimeve në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e dy unazave të reja.
“Në Suharekë, ka toka ku një ari shkon deri në 22 mijë euro. Në zona të tjera, vlera mund të arrijë edhe në 200 mijë euro për ari, varësisht nga plani zhvillimor”, tha Muharremaj.
Kryetari shtoi se për katër vitet e ardhshme, në Suharekë priten investime prej 1 miliard eurosh.
“Tri vitet e fundit janë investuar 350 milionë euro. Presim që në katër vitet e ardhshme, vlera e investimeve të arrijë në 1 miliard euro”, theksoi ai.