Imami i njohur kosovar, Labinot Maliqi, ka reaguar ashpër në lidhje me reklamimin e ashtuquajturës “birrë hallall” (joalkoolike).
Në një postim në rrjete sociale, ai thekson se shumica e birrave joalkoolike përmbajnë gjurmë të alkoolit, pasi gjatë procesit të fermentimit nuk mund të hiqet plotësisht, shkruan Korrespodenti.
Madje, edhe nëse deklarohet si “0% alkool”, një pjesë e vogël e tij mund të mbetet në pije.
Sipas hulumtimit të imamit, shpesh prodhuesit e birrave joalkoolike largojnë rreth 95% të alkoolit nga produkti, ndërsa 5% mbetet, por mund të mos shënohet në etiketë për shkak të rregulloreve që lejojnë mospërmendjen e përqindjeve të ulëta. Maliqi shton se nga përvoja e atyre që pinë birrë me alkool, “shija dhe ndjesia” e kësaj birre joalkoolike është thuajse e njëjtë me të zakonshmen.
Duke cituar hadithin profetik “Çdo gjë që deh me shumicë, edhe pakica e saj është e ndaluar!”, ai paralajmëron besimtarët muslimanë të qëndrojnë larg këtyre pijeve, duke argumentuar se janë prodhuar në të njëjtat makineri që përdoren edhe për birrën alkoolike.
Reagimi i plotë i imamit Labinot Maliqi:
Le të kenë frikë Zotin, ata që i bëjnë reklam birrës ”hallall” (joalkoolike), duke e konsideruar si të lejuar konsumimin e saj.
1. Shumica e birrave joalkoolike përmbajnë sasi të vogël të alkoolit. Kjo mund të variojë ndërmjet 0,02.5, apo 0.05% e deri në 0.7%, që rezulton nga procesi i fermentimit natyror; edhe nëse alkooli është hequr përmes ‘çalkoolizimit’, sasitë e gjurmëve do të mbeten në atë pije.
Kompanitë që prodhojnë birrën joalkoolike, nuk e heqin 100% të alkoolit, ato heqin vetëm 95% të tij, ndërsa 5% e alkoolit mbetet në atë pije. Sipas rregullave dhe rregulloreve në fuqi, nëse një përmbajtje e caktuar është më poshtë se 5%, mund edhe të mos përmendet në përbërjen e pijes, andaj edhe qëllimshëm nuk përmendet % e mbetur e alkoolit në përbërjen e kësaj birre (jo)alkoolike, ndonëse është në sasi të vogël.
2. Birra joalkoolike përmban një përqindje të vogël të alkoolit, ku shija dhe ndjësia e saj është e njejtë me birrën alkoolike. Ata që pinë birrë normale tregojnë se e ndjejnë birrën joalkoolike si të ngjajshme. Dhe, për fat të keq, ka disa musliman që mendojnë se kjo birrë joalkoolike është hallall, por që nuk është.
Nuk i lejohet një muslimani të pinë birrë joalkoolike ose birrë pa alkool, ngase ajo vërtetë përmban alkool në sasi të vogël, dhe konsumimi i saj në sasi të madhe dehë.
Profeti Muhammed ﷺ ka thënë: “Çdo gjë që deh me shumicë, edhe pakica e saj është e ndaluar!”
3. Birra joalkoolike prodhohet nga të njëjtat kompani që prodhojnë birra të rregullta alkoolike. Ato përdorin të njëjtat makineri që ndotin edhe birrën joalkoolike me alkool. Pra, pavarësisht disa certifikatave të hallallave, birra joalkoolike është e ndaluar për besimtarët musliman.
E lejuara është e qartë dhe e ndaluara është e qartë. Besimtarët obligohen të qëndrojnë larg të ndaluarave dhe gjërave të dyshimta. Keni frikë Zotin, dhe mos u lazdroni duke shfaqur vese të mbetura nga injoranca juaj.
Labinot Maliqi