Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta sulmojë vendin, raporton media amerikane CBS.
Mediumi raporton se, sipas një burimi të lartë të inteligjencës, Trumpi ka shtyrë urdhrin për sulm në pritje të një mundësie që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Në qendër të diskutimeve është një goditje e mundshme ndaj objektit bërthamor nëntokësor të Fordo-s, ku Irani pasuron uranium.
Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka refuzuar prerazi kërkesën e Trumpit për një “dorëzim të pa kushte”.
Në një fjalim të regjistruar të mërkurën, Khamenei deklaroi se “çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të kishte një kosto të lartë” dhe shtoi se “kombit iranian nuk do t’i imponohet dorëzimi”.
Trumpi, në një prononcim për mediat të mërkurën, deklaroi: “Mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj”, kur u pyet nëse SHBA-ja do të angazhohej ushtarakisht në Iran.
Ai shmangu sërish dhënien e detajeve për planet e tij, duke thënë: “Askush nuk e di çfarë do të bëj.”